zoom

Bota

SHBA ofron shpërblim prej 50 milionë dollarësh për arrestimin e liderit të Venezuelës, Nicolas Maduro

SHBA ofron shpërblim prej 50 milionë dollarësh për arrestimin e liderit të Venezuelës, Nicolas Maduro

SHBA ka ofruar një shpërblim prej 50 milionë dollarë për informacionin që çon në arrestimin e Presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, duke e akuzuar atë si një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është një kritik i hershëm i Maduros, i cili u rikthye në detyrë në janar pas zgjedhjeve të shoqëruara me akuza për manipulim votash.

Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi tha se SHBA-të do të dyfishojnë shpërblimin e tyre prej 25 milionë dollarësh, duke shtuar se Maduro ishte i lidhur drejtpërdrejt me operacionet e kontrabandës së drogës.

Gjatë mandatit të parë të Trump, qeveria amerikane akuzoi Maduron dhe zyrtarë të tjerë të lartë venezuelianë për një sërë veprash penale, duke përfshirë narkoterrorizmin, korrupsionin dhe trafikimin e drogës.

Në atë kohë, Departamenti Amerikan i Drejtësisë pretendoi se Maduro kishte bashkëpunuar me grupin rebel kolumbian Farc për të “përdorur kokainën si armë për të ‘përmbytur’ Shtetet e Bashkuara”./ZOOM.AL