Aplikacion
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thotë se një armëpushim është ende në fuqi midis SHBA-së dhe Iranit, pasi të dyja palët shkëmbyen zjarr vonë natën e së enjtes. Nuk ishte e qartë se kush qëlloi i pari.
Komanda më e lartë ushtarake e Iranit pretendoi se SHBA-të kishin shënjestruar një anije cisternë iraniane nafte dhe një anije tjetër që po i afrohej Ngushticës së Hormuzit dhe kishin kryer sulme ajrore në disa zona bregdetare.
Ndërkohë, SHBA-të thanë se iu përgjigjën sulmeve iraniane me raketa të telekomanduara të Marinës Amerikane në Ngushticë me “sulme vetëmbrojtjeje”. Trump deklaroi se Irani “nuk luajti shumë me ne sot”.
Shpërthimi i tensioneve vjen një ditë pasi ministria e jashtme e Iranit kishte thënë se po shqyrtonte një propozim të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës.
Në një shenjë të mëtejshme të brishtësisë së armëpushimit, Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe deklaroi se mbrojtja e saj ajrore po “angazhohej në mënyrë aktive” ndaj një sulmi me raketa dhe dronë nga Irani.
Media shtetërore iraniane fillimisht raportoi shpërthime në Ngushticën e Hormuzit, duke i përshkruar ato si një shkëmbim zjarri me “armikun”. Ndërkohë, media lokale raportoi se shpërthime u dëgjuan në Teheran.
Jo shumë kohë më pas, një deklaratë nga komanda e lartë ushtarake e Iranit tha se “sulmet ajrore” të SHBA-së goditën brigjet e Bandar Khamir, Sirik dhe ishullit Qeshm.
Ajo shtoi se u përgjigj menjëherë duke sulmuar anijet ushtarake amerikane, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe akuzoi SHBA-në për një “shkelje të armëpushimit”.
Në një postim në Truth Social, Trump tha se SHBA-të kishin shkatërruar disa anije të vogla që “binin kaq bukur në Oqean, njësoj si një flutur që bie në varrin e saj!”
“Dëm i madh iu shkaktua sulmuesve iranianë”, vazhdoi ai.
Presidenti amerikan përsëriti gjithashtu një paralajmërim mbi marrëveshjen e paqes: “Ashtu siç i rrëzuam përsëri sot, do t’i rrëzojmë shumë më fort dhe shumë më dhunshëm në të ardhmen, nëse nuk e nënshkruajnë Marrëveshjen e tyre, SHPEJT!”