Aplikacion
Një skeç i transmetuar në emisionin Portokalli në Top Channel ka shkaktuar reagime të forta në rrjet, pas përdorimit të një lepuri gjatë performancës.
Në skenën në fjalë, një aktore shfaqet duke kapur lepurin nga veshët dhe duke e përdorur për të frikësuar një aktor që interpretonte rolin e “Rogertit” nga Big Brother VIP Albania, duke iu referuar faktit se personazhi ka frikë nga breshkat.
Për këtë situatë ka reaguar organizata Animal Rescue Albania, e cila e ka cilësuar skenën si të papranueshme.
“Nuk është humor. Nuk është art. Është keqtrajtim i pastër i kafshës në ekranin e një televizioni kombëtar”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas organizatës, lepuri është përdorur si objekt për të krijuar efekt humoristik, ndërsa pamjet tregojnë, sipas tyre, frikën dhe ankthin që ka përjetuar kafsha gjatë momentit në skenë.
Ata theksojnë se veshët e lepurit janë shumë të ndjeshëm dhe kapja në atë mënyrë mund të shkaktojë dhimbje të forta, dëmtime fizike, madje edhe rrezik për shtyllën kurrizore. Po ashtu, theksohet se ambienti me zhurmë dhe drita të forta rrit ndjeshëm stresin te kafshët.
Organizata i referohet edhe legjislacionit në fuqi, duke kujtuar se ligji ndalon shkaktimin e dhunës, frikës dhe ankthit te kafshët, ndërsa neni 13 i Traktatit të Lisbonës i njeh ato si qenie me ndjesi.
Në reagim ngrihet edhe shqetësimi për mungesën e reagimit publik ndaj kësaj skene, duke pyetur mbi ndjeshmërinë e shoqërisë ndaj rasteve të tilla.
Animal Rescue Albania i bën thirrje produksionit të “Portokalli” dhe Top Channel që të distancohen nga skeçi dhe të heqin episodin nga platformat online, ndërsa paralajmëron se do t’i drejtohet zyrtarisht edhe Autoriteti i Mediave Audiovizive për shkelje të etikës dhe standardeve të transmetimit.
Në përfundim, organizata thekson se kafshët duhet të trajtohen me respekt dhe jo të përdoren si mjete për argëtim në ekran.
Postimi i plotë:
Nuk është humor. Nuk është art. Është keqtrajtim i pastër i kafshes në ekranin e një televizioni kombëtar.
Në episodin e fundit të emisionit “Portokalli” në Top Channel, pamë nje skenë që na lëndoi – një lepur që përdorej si objekt, duke u tërhequr brutalisht nga veshët me vrap në skene, për të krijuar audiencë humori. Zgjati 1 minutë dhe realisht jane pamje qe nuk i presim ti shohim ne nje televizion kombetar si Top Channel.
Për shumëkënd ishte thjesht një skeç humori, por për atë qenie të pambrojtur, ishte një moment terrori dhe dhimbjeje fizike.Nga perpelitja e te gjores kafshe duket frika dhimbja dhe ankthi qe ka perjetuar.
Ajo që ekrani nuk ju tha:
Veshët e lepurit janë organe jashtëzakonisht delikate, të mbushura me nerva dhe enë gjaku. Kapja e tij peshë në atë mënyrë i shkakton dhimbje te medha dhe këputje të kërcit.
Më keq akoma, mbajtja dhe perdredhja e tij në ajër rrezikojnë t’i thyejnë shtyllën kurrizore, duke e lënë të paralizuar në çast. Per te mos folur per traumen dhe ankthin qe keto kafshe kaq delikate pesojne ne nje ambjent te tille plot zhurme dhe drita
Ligji dhe Etika janë detyrim!
Sipas Ligjit per Veterinarine ndalohet shkaktimi i dhunës, frikës dhe ankthit te kafshët. Neni 13 i Traktatit të Lisbonës i njeh kafshët si “qenie me ndjesi” (sentient beings). Ato ndjejnë dhimbjen dhe tmerrin ashtu si ne.
Ajo që na lëndon më shumë se vetë skena, është heshtja. Si ka mundësi që një trajtim i tillë kalon pa asnjë reagim? Ku është ndjeshmëria jonë si shoqëri kur shohim dhimbjen e servirur si “show”?
I bëjmë thirrje produksionit të “Portokalli” dhe Top Channel të distancohen dhe të heqin menjëherë episodin nga YouTube.
Do t’i drejtohemi zyrtarisht si Televizionit Top Channel por dhe AMA-s (Autoritetit të Mediave Audiovizive) për kete shkelje të etikës dhe standardeve të transmetimit.
Kafshët meritojnë respekt, jo të jenë lodra për konsum mediatik!