zoom

Lajme

Serbi – Shqipëri, asnjë biletë në shitje

Serbi – Shqipëri, asnjë biletë në shitje

Asnjë biletë nuk do të dalë në shitje të lirë për takimin Serbi – Shqipëri.

Federata Serbe e Futbollit njoftoi se ky vendim u mor në përputhje me vlerësimin e FIFA-s, udhëzimet e Ministrisë së Brendshme, konsultimet me UEFA-n dhe mbi të gjitha përvojën e keqe nga ndeshja e mëparshme që u ndërpre në vitin 2014, duke marrë edhe një dënim me humbje 3–0 në tavolinë që i kushtoi edhe vendin në Euro 2016.

Publiku që do të jetë i pranishëm në stadiumin e Leskovacit do të përbëhet nga lista të dërguara nga federatat rajonale, klubet, nxënësit e shkollave të futbollit të shoqëruar nga prindërit, organizatat profesionale të futbollit, sponsorët zyrtarë dhe të ftuarit, që në total do të jenë rreth 6,500 persona, ndërsa 20% e ndenjësve do të jenë bosh për shkak të dënimit të FIFA-s.

Hyrja do të lejohet vetëm me bileta të personalizuara dhe një dokument identifikimi. Federata Serbe e Futbollit bën të ditur se kontrollet do të jenë të rrepta, pasi takimi mes Serbisë dhe Shqipërisë është shpallur me rrezik të lartë dhe për këtë u zhvendos nga Beogradi në Leskovac.

Në bazë të një marrëveshjeje nuk do të ketë as tifozë shqiptarë. Në njoftim u bëhet thirrje të gjithë pjesëmarrësve që të kontribuojnë në një atmosferë sportive me sjelljen e tyre, në mënyrë që ekipi kombëtar serb të ketë kushtet për të arritur rezultatin më të mirë të mundshëm në fushë.

Kreu i sindikatës së futbollistëve të Serbisë, Mirko Poledica, ka deklaruar se është hera e parë në 100 vite që ndodh diçka e tillë dhe biletat nuk dalin në shitje.

I ashpër ka qenë edhe ish-basketbollisti i njohur Vladimir Štimac, i cili ka dalë hapur kundër presidentit Vuçiç. Ai thotë se biletat i ka fshehur ky i fundit dhe do t’ua japë familjarëve dhe tifozëve të tjerë që do të shkojnë me urdhër prej tij. Zoom.al/

Postime të lidhura