zoom

Lajme

”Sëmundja më goditi, pastaj divorci”- Përlotet Kryemadhi: Nuk ia fal Ilir Metës

”Sëmundja më goditi, pastaj divorci”- Përlotet Kryemadhi: Nuk ia fal Ilir Metës

Ish-deputetja Monika Kryemadhi deklaroi se nuk ka më asnjë raport, as politik dhe as emocional, me ish-bashkëshortin e saj, Ilir Meta.

E ftuar në emisionin Top Story, ajo theksoi se e vetmja lidhje që i bashkon është ajo për fëmijët, ndërsa nënvizoi se nuk mund t’i falë mungesën e besimit.

“Nuk kam më asnjë raport, qoftë politik apo emocional me Metën. Jam vetëm në raport me fëmijët. Unë, jo vetëm Metës, por kujtdo njeriu nuk i fal kurrë mungesën e besimit që kishin ndaj meje. Nuk do ta pranoja kurrë që besimin e Metës ndaj meje ta thyente një njeri kalimtar në jetën e tij. Nuk kam vendosur kurrë në dyshim asnjë vendim të tij”, u shpreh Kryemadhi.

Duke ndalur tek përjetimet personale, Kryemadhi rrëfeu se dy nga momentet më të vështira në jetën e saj kanë qenë përballja me sëmundjen dhe përfundimi i martesës. Sipas saj, këto dy periudha e kanë bërë të reflektojë thellë mbi veten, duke kuptuar njëkohësisht edhe brishtësinë, por edhe forcën që mbart.

Ajo theksoi se sëmundja i shërbeu si një moment ndërgjegjësimi për kufijtë njerëzorë, ndërsa divorci e bëri të kuptojë se sa e aftë është të përballet me sfidat dhe të ecë përpara pa u dorëzuar. Kryemadhi nënvizoi se nuk ka zgjedhur të vendosë veten në rolin e viktimës, por ka preferuar të përballet me realitetin dhe të vazhdojë jetën me vendosmëri.

“Janë dy momente të vështira për jetën time. Një ka qenë sëmundja, sepse aty kuptova sa e brishtë jam, dhe e dyta ka qenë divorci, ku kuptova sa e fortë jam. Vendos në një balancë mundësitë e tua. Mund të bëja viktimën, por vendosa të eci përpara. Nuk më shkon shumë roli i viktimës, sepse është false, unë kam luftuar gjithmonë,” u shpreh ajo.

Më tej, Kryemadhi u ndal edhe te zhgënjimi që mund të sjellin marrëdhëniet njerëzore, sidomos kur, sipas saj, mjafton një arsye e vogël për të krijuar distancë. Ajo theksoi se çdo marrëdhënie ka uljet dhe ngritjet e veta, por shtoi se nuk e kishte menduar kurrë që faktorë politikë do të ndikonin deri në prishjen e martesës së saj.

“E shkuara ka të bukurat e saj, por ka edhe ato të këqija. Zhgënjehesh shumë kur gjendet një kauzë e vogël për t’u distancuar ose larguar. Në jetë çiftet kanë uljet dhe ngritjet e tyre, nuk e mendoja që politika do të sillte divorcin tim,” përfundoi Kryemadhi.

Postime të lidhura