Aplikacion
Kreu i PD-së, Sali Berisha ka hedhur akuza se ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka copëtuar unazën në 14 kontrata që të vjedhë.
Berisha u shpreh se rrugët po ndërtohen me çmim 10 herë më të larta, duke theksuar se “ndërtohet unaza 17 milionë euro kilometri, në një kohë kur bajpasi i Fierit është ndërtuar me 2.8 milionë euro kilometri, po kaq i gjerë”.
Kryedemokrati akuzoi se PS se ndan pasurinë “me vete, me gratë, me familjarët, me vëllezërit, me motrat, me krushqitë”.
“Pastaj thotë rrokullisemi po të rrisim pensionet. Sigurisht kur vjedh në këtë mënyrë, njerëzit i përçmon, i neverit”, tha Berisha.
Sali Berisha: Ju jeni dëshmitarë, u dyfishuan rrogat, u dyfishuan pensionet e ulëta, u ndërtuan 11 mijë kilometra rrugë dhe buxheti ishte sa gjysma e buxhetit të sotëm, se ne ia linim biznesit, ne ishim me taksa të ulëta.
Ne prapë do shkojmë me taksat më të ulëta. Por këto që ndodhin nuk mund të imagjinohen.
Këta ndajnë pasuritë me vete, me gratë, me familjarët, me vëllezërit, me motrat, me krushqitë, dhe pastaj ndërtohet rruga me çmim 10 herë më të lartë, edhe më shumë.
Ndërtohet unaza 17 milionë euro kilometri, në një kohë kur bajpasi i Fierit është ndërtuar me 2.8 milionë euro kilometri, po kaq i gjerë.
Ndërkohë që unaza, segmenti që u ndërtua nga ne, me të gjitha veprat, kushtoi gjithsej 3.8 milionë euro kilometri.
Kurse kjo e merr e pret dhe e copëton unazën sikur ta ketë pronë të saj me 14 kontrata që të vjedhë në secilën kontratë maksimumin dhe pastaj nuk del për pensione. Pastaj thotë rrokullisemi po të rrisim pensionet. Sigurisht kur vjedh në këtë mënyrë, njerëzit i përçmon, i neverit.
Po kjo merr fund më 11 maj.
Ndaj dhe të bëjmë gjithçka në këtë betejë para së gjithash për shqiptarin dinjitoz, për një shqiptar që nuk numëron kafashatën.
Por jo vetëm kaq, ju jeni njerëz të prodhimit. Motoja jonë është Made in Albania. Dhe Made in Albania, rezervat më përrallore i ka në nëntokën shqiptare, i ka në çdo skaj të këtij vendi.
Ne do bëjmë gjithçka që shqiptarët të prodhojnë dhe të krijojnë mirëqenie kudo që janë.
Ne do ulim taksat për bizneset në 10 përqind.
10 përqind është taksa e drejtë, është taksa e librave të shenjtë, taksa e shekujve dhe mijëvjeçarëve.