zoom

In Zoom

Rrjeti shpërthen kundër “One”: Paguajmë e nuk marrim shërbimet

Rrjeti shpërthen kundër “One”: Paguajmë e nuk marrim shërbimet

Problemet me shërbimin dhe rrjetin në kompaninë “One” kanë nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale nga qytetarët.

Sapo poston një informacion mbi këtë kompani, komentet shpërthejnë me shpejtësi marramendëse. Ankesat kane të bëjnë me shërbimet dhe mënyrën se si trajtohen klientët.

Në dhjetëra komente në faqen e Zoom.al, shqiptarët ankohen për faturime të shërbimeve që nuk i kanë marrë dhe probleme të vazhdueshme me rrjetin celular e fiks.

Një qytetar shkruan se thirrjet i vijnë disa orë me vonesë.

Disa të tjerë ngrenë shqetësimin e mosreagimit nga ana e autoriteteve për shkeljet e kompanisë.

Shërbimet e kompanisë u përkeqësuan që pas blerjes nga hungarezët e 4iG këtë vit.

Një muaj më parë, kompania u sulmua nga një sulm masiv kibernetik të iniciuar nga hakerët iranianë, por ky ishte guri i fundit që ra në dominotë e ONE.

Kur kompania u bashkua me atë të Albtelecom nën udhëheqjen e hungarezëve sistemi dhe rrjeti telefonik ishte tërësisht jofunksional. Për javë të tëra asnjë abonent i ONE nuk mund të merrte shërbim.

Përveç problemeve me rrjetin, qindra klientë ngritën shqetësimin e faturimit grabitqar të kësaj kompanie dhe vonesave për shërbime të rëndësishme.

Deputeti socialist Erion Braçe tregoi se ishte një ndër viktimat e shumta të kësaj kompanie, i cili edhe paguante faturat, nuk merrte shërbimin.

“Prej bankës kam marrë vërtetimin se çdo faturë e paraqitur pranë bankës është paaaguuuuaaaar! Ua çova një të hënë më parë në dyqanin e tyre, por, përsëri telefoni është i bllokuar, interneti po ashtu! Më duhet të rri në zona me ëifi prej një muaji!”, shkruante deputeti socialist duke e quajtur atë një kompani mizerabël.

Pak kohë më vonë, kolegu i Braçes, Frrok Gjini i kërkoi komisioneve ndërparlamentare që të thërrasin kompaninë për të dhënë sqarime mbi ankesat e shumta që kanë klientët prej disa kohësh me këtë operator. Ai tha në parlament se qytetarët po vidhen, ndërsa kompania ONE Albania nuk po u ofron shërbimet për të cilat paguhet nga abonentët dhe është kthyer në gangrenë.

Pas disa muajsh, për këtë situatë që u bë problem kombëtar, AKEP vendosi ndaj ONE një gjobë prej 10 mln lekësh. AKEP vlerësonte në vendim se shkeljet e One Albania janë sistemike, edhe pse ishte hera e parë që ndaj tyre u mor masë.

Zoom.al prej kohësh ka publikuar ankesat e qytetarëve për këtë kompani dhe ka apeluar për masa ndaj shkeljeve dhe abuzimeve të saj./ Zoom.al

Postime të lidhura