Aplikacion
Nga 1 maji, fatura e energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës do të jetë më e lartë.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) miratoi të premten një vendim që parashikon një rritje prej 16% të tarifës, pavarësisht kundërshtimeve të forta nga Presidenca dhe kërkesës së Qeverisë për të mbrojtur konsumatorët me konsum të ulët.
Vendimi erdhi pas propozimeve të paraqitura nga operatorët energjetikë, të cilët kërkuan rritje për të mbuluar kostot në rritje të furnizimit dhe shpërndarjes. Drejtori menaxhues i ZRRE-së, Petrit Pepaj, tha se rritja është rezultat i disa faktorëve, përfshirë çmimin më të lartë të importit të energjisë dhe planifikimin e mirëmbajtjeve të njësive gjeneruese.
Por ky vendim nuk kaloi pa reagime.
Qytetarët protestuan në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, duke e quajtur të padrejtë dhe të papranueshme barrën e re financiare. Organizatorët e protestës paralajmëruan padi kundër ZRRE-së në Gjykatën Themelore të Prishtinës, që do të dorëzohet më 14 prill.
Edhe bizneset janë shprehur të shqetësuara, duke paralajmëruar pasoja në kosto operimi dhe çmime për konsumatorin final./ Zoom.al