zoom

Kosova

Rreziku i “skenarit bullgar” për Kosovën

Rreziku i “skenarit bullgar” për Kosovën

Kosova po hyn në një cikël zgjedhjesh të përsëritura, duke ngritur paralelizma me përvojën bullgare të bllokimeve politike.
Analistët thonë se kriza ngadalëson reformat kyç dhe krijon një kosto të vazhdueshme financiare për buxhetin e shtetit, pa asnjë garanci se zgjedhjet e reja do të sjellin stabilitet politik.

Në ditën kur u bënë katër muaj nga zgjedhjet e fundit parlamentare, u konfirmua se Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje.

Një rikthim i shpejtë në kutitë e votimit, jo si rezultat i një zgjedhjeje politike, por si pasojë e një krize që politikëbërësit nuk arritën ta zgjidhin.

“Kjo është papjekuria e tyre, si karshi shtetit, ashtu edhe karshi stuhisë së zhvillimeve që kanë përshkuar botën”, vlerëson për Radion Evropa e Lirë analisti politik, Ilir Deda.

Më 7 qershor – më së largu – qytetarët e Kosovës do të dalin sërish në zgjedhje parlamentare, për herë të tretë brenda 16 muajsh.

Ky proces u bë i pashmangshëm më 28 prill, vetëm katër muaj pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kur deputetët dështuan të zgjedhin presidentin, duke aktivizuar automatikisht afatin kushtetues që e çon vendin në zgjedhje brenda 45 ditësh.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, akuzoi opozitën për bojkotim të qëllimshëm të seancave, ndërsa partitë opozitare fajësuan pushtetin për mungesë bashkëpunimi dhe për përpjekje për përqendrim të pushtetit në një dorë të vetme.

“Kosova, për të pasur president të ri, duhet të ketë opozitë të re. Opozita është e vjetër. Kjo opozitë mund të sjellë ndonjë fytyrë të re, por zanatin dhe karakterin e ka të vjetër, andaj edhe është në rënie të lirë”, deklaroi kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i LVV-së, në seancën e fundit të legjislaturës së dhjetë.

Dy partitë kryesore opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja, e mirëpritën shkuarjen në zgjedhje të reja, ndonëse, sipas kryetarit të LDK-së, ato u imponuan nga pushteti, i cili, me shumicën prej 51 për qind, kërkoi “nënshtrim” politik.

“Tani është koha për bashkimin e njerëzve të mirë të këtij vendi, që duan një Kosovë normale, pa dramë, pa propagandë…”, shkroi Lumir Abdixhiku në Facebook.

Një krizë e përsëritur, jo episod i ri
Kjo situatë nuk është e re për Kosovën.

Një skenar i ngjashëm u përsërit menjëherë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, kur Kuvendi mbeti i pakonstituuar për muaj të tërë dhe, në fund, formimi i Qeverisë dështoi.

Edhe atëherë, përgjegjësia u nda mes palëve, me akuza që kalonin nga njëra te tjetra.

Për Dedën, situata nuk është më episod i izoluar, por një model që po merr formë.

Ai paralajmëron se Kosova po i afrohet një skenari të ngjashëm me Bullgarinë, e cila në pesë vjetët e fundit ka kaluar nëpër shtatë cikle të njëpasnjëshme zgjedhjesh, pa prodhuar stabilitet institucional.

“Nuk pritej që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kur Lëvizja Vetëvendosje i fitoi 51 për qind të votave, ne të mbërrinim në këtë situatë”, thotë ai.

Në analizën e tij, problemi nuk qëndron te sistemi politik, por te mënyra se si ai përdoret.

Kosova, thotë Deda, ka një kornizë institucionale të avancuar, por ajo po shndërrohet në instrument përplasjeje, në vend se të shërbejë si bazë stabiliteti.

Përgjegjësinë kryesore, ai ia atribuon partisë më të madhe, e cila, siç thotë, ka pasur mundësi reale për të ndërtuar qëndrueshmëri institucionale.

Deda konsideron se kjo krizë ka qenë lehtë e shmangshme.

“Partitë kanë mundur të diskutojnë se çfarë presidenti duan: një figurë që ka filluar aktivitetin politik që në vitet ’90, duke reflektuar rrugëtimin dhe shtetndërtimin e Kosovës; një figurë të lidhur me UÇK-në, si kundërreagim ndaj procesit në Hagë; apo një figurë që sheh nga e ardhmja”, thotë Deda.

Në vend të kësaj, ai konsideron se debati u shndërrua në një lojë politike për të drejtuar gishtin nga fajtorët dhe për të “fabrikuar alibi” për shmangien e përgjegjësisë.

Deda paralajmëron se, duke qenë në këtë trajektore, Kosova rrezikon të mbetet jashtë zhvillimeve të rëndësishme globale, ndërsa perceptimi për të si shtet i brishtë mund të ketë pasoja afatgjate – si në raport me partnerët ndërkombëtarë, ashtu edhe me besimin qytetar.

“Unë vetëm shpresoj që pas zgjedhjeve të reja të ketë një maturim të politikës dhe forcim të kulturës së konsensusit”, thotë Deda.

Në të kundërtën, sipas tij, cikli i zgjedhjeve mund të mos ndalet.

Mes legjitimitetit dhe “kohës së humbur”
Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Evropian për dështimin e Kosovës në zgjedhjen e presidentit dhe shkuarjen në zgjedhje të reja, si dhe për pasojat që kjo mund të ketë në stabilitetin politik të vendit, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Toby Vogel, analist në Këshillin për Demokratizimin e Politikave në Bruksel, thotë se zgjedhjet e parakohshme mund të shihen si “kohë e humbur”, pasi ka gjasa të prodhojnë një rezultat politik të ngjashëm me atë të mëparshmin.

Megjithatë, ai thekson se ky është një proces i paraparë me Kushtetutë, ndaj është edhe legjitim, edhe demokratik.

“Si një Qeveri e mirëfilltë demokratike, Qeveria Kurti dhe autoritetet tjera, Parlamenti e kështu me radhë, po e ndjekin procedurën kushtetuese”, vlerëson Vogel për Radion Evropa e Lirë.

Nga perspektiva evropiane, ai thotë se BE-ja dhe disa shtete anëtare nuk po tregojnë vullnet politik për ta çuar Kosovën përpara në procesin e integrimit, duke u fshehur pas narrativit të “paqëndrueshmërisë së brendshme”.

“Edhe kur Kosova gëzonte stabilitet të paprecedent të brendshëm nën kryeministrin Kurti, BE-ja nuk bëri asnjë përparim as në dialogun me Serbinë dhe as në procesin e anëtarësimit – gjë që tregon se narrativi për paqëndrueshmëri është një justifikim i pabazë, që fsheh mungesën e vullnetit politik në Bruksel dhe në shtetet kyç anëtare”, shton Vogel.

Kosto përtej politikës
Kriza në Kosovë nuk kufizohet vetëm në politikë. Ajo ndikon drejtpërdrejt edhe në ritmin e vendimmarrjes shtetërore.

Sipas Naim Jakajt, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, pasoja e parë është paralizimi i procesit legjislativ. Në mungesë të një Kuvendi funksional, nuk miratohen ligje të reja dhe ngadalësohen reformat kyç, përfshirë ato që lidhen me sundimin e ligjit dhe integrimin evropian.

Një tjetër problem është mungesa e mbikëqyrjes parlamentare ndaj Qeverisë.

Kjo situatë e ul ndjeshëm nivelin e llogaridhënies dhe transparencës në vendimmarrje.

“Qeveria në detyrë ka mandat të kufizuar dhe nuk mund të ndërmarrë vendime strategjike afatgjata, duke e lënë vendin në një gjendje stagnimi institucional. Në thelb, krijohet një vakum institucional, ku shteti funksionon minimalisht, por nuk zhvillohet”, thotë Jakaj.

Ai nënvizon se kjo reflektohet edhe në planin ndërkombëtar, duke sjellë vonesa në procese si integrimi evropian.

Fatura financiare e zgjedhjeve
Përtej dimensionit politik e ligjor, kriza sjell edhe një barrë financiare.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, thotë se viti 2026 nuk është paraparë si vit zgjedhor, ndaj nuk ka buxhet të ndarë për zgjedhje të parakohshme.

Në këto raste, KQZ i drejtohet Qeverisë për fonde.

Si krahasim, zgjedhjet e 28 dhjetorit kishin një buxhet të planifikuar prej 11.5 milionë eurosh, ndërsa shpenzimet reale arritën rreth 7 milionë euro.

Në ato zgjedhje, mbi 2 milionë qytetarë kishin të drejtë vote, me pjesëmarrje rreth 45 për qind.

Në ato zgjedhje, mbi 2 milionë qytetarë kishin të drejtë vote, me pjesëmarrje rreth 45 për qind.

Jakaj thotë se zgjedhjet e shpeshta sjellin edhe “lodhje” të votuesve, ndërsa Deda e vendos fokusin te sjellja politike dhe reagimi qytetar.

“Test i zgjedhjeve është pjekuria e popullit të Kosovës”, thotë ai./ Radio Evropa e Lirë

Postime të lidhura