zoom

Aktualitet

Rrëmbimi i Kozakut dhe roli i Fabio Dushkut: A do të ndërhyjë “Stresi” për të shuar gjakrat?

Një ngjarje e rëndë ndodhi sot pasdite në Tiranë, ku familjarë të një të riu të identifikuar si Kozak Braçi njoftuan policinë duke pretenduar për një pengmarrje ndaj tij.

Të afërmit e personazhit të njohur si “Kozaku” në rrjetet sociale thanë që personat që e kishin rrëmbyer janë të afërm të një tjetër personazhi të rrjeteve sociale, Fabio Dushkut.

Gjithçka ndodhi pas sharjeve dhe fyerjeve për disa javë me radhë mes të dy personazheve në TikTok. Para dy javësh, Kozakut i hodhën një lëndë plasëse në shkallët e pallatit ku jetonte, ndërsa ai pretendoi se këtë e kishin bërë njerëzit e Fabio Dushkut. Ky i fundit nuk e pranoi asnjëherë akuzën.

Pas kësaj, Kozak sfidoi Dushkun në TikTok duke thënë se sduhej të fshihej duke hedhur shashka natën, por të përballej me të fizikisht. Nisur edhe nga pretendimet e familjarëve, duket se Fabio Dushku ka pranuar sfidën e Kozakut duke bërë që ai sot të detyrohet të flasë fjalë banale ndaj vetes pikërisht tek llogaria e tij në TikTok.

Të dy personazhet janë të njohur në rrjetet sociale duke patur miq të përbashkët persona të famshëm të skenës. Një prej tyre është reperi i famshëm “Stresi”, i cili ka njohje si me grupin e Fabio Dushkut ashtu edhe me Kozakun.

Ngjarja e sotme ishte e rëndë, megjithatë mbetet për t’u parë nëse “Stresi” do të përdorë ndikimin e tij për të shuar gjakrat mes dy kampeve që tashmë kanë shkuar shumë larg.