Aplikacion
Reperi Gjesti ka reaguar për herë të parë pas humbjes tragjike të vëllait të tij, Eldion Kelmendi, i cili ndërroi jetë në një aksident të rëndë rrugor ditën e djeshme në fshatin Qungur të Pejës.
Në një postim në Instagramin zyrtar të këngëtarit, ekipi i tij njoftoi se ceremonia mortore do të mbahet sot, më 27 shtator, në orën 17:00, në varrezat e fshatit Pavlan, Pejë.

“Me zemër të thyer ju njoftojmë se sot, më 27 Shtator, në ora 17:00, do të mbahet ceremonia e varrimit të Eldion Kelmendit, në varrezat e fshatit Pavlan, Pejë. Jemi pranë familjes në këtë moment të rëndë dhe ju ftojmë ta kujtojmë me respekt e lutje. (Ky njoftim është bërë nga ekipi i Gjestit)”, thuhet në njoftim.
Aksidenti ndodhi rreth orës 14:00, kur një automjet u përplas me një motor me katër rrota, duke lënë të vdekur vëllain e reperit, ndërsa një tjetër person mbeti i plagosur rëndë.
Gjesti ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është parë i shokuar dhe i ulur në tokë, duke shpërthyer në lot dhe duke thirrur me dënesë: “O vëllai jem bre…”.
Pamjet prekëse të publikuara nga vendi i ngjarjes kanë prekur thellë opinionin publik, ndërsa njerëzit përreth janë përpjekur ta qetësojnë dhe ta ndihmojnë të ngrihej.
Ndërkohë, rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe ngushëllimi dhe solidariteti nga fansa dhe figura publike, që i qëndrojnë pranë reperit në këtë moment të dhimbshëm.