Aplikacion
“Sot do të flas për një çarje në rendin botëror, për fundin e një trillimi të këndshëm dhe fillimin e një realiteti të ashpër, ku gjeopolitika – ku fuqia e madhe dominuese – nuk i nënshtrohet më asnjë kufiri, asnjë ndalese.
Por, nga ana tjetër, dua t’ju them se vendet e tjera, veçanërisht fuqitë e ndërmjetme si Kanadaja, nuk janë të pafuqishme. Ato kanë aftësinë të ndërtojnë një rend të ri që përfshin vlerat tona: respektin për të drejtat e njeriut, zhvillimin e qëndrueshëm, solidaritetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve.
Fuqia e atyre që kanë më pak fuqi fillon me ndershmërinë.
Duket sikur çdo ditë na kujtohet se jetojmë në një epokë rivaliteti mes fuqive të mëdha, se rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla po zbehet, se të fortët bëjnë çfarë munden dhe të dobëtit vuajnë çfarë duhet.
Dhe ky aforizëm i Tukididit paraqitet si i pashmangshëm, si logjika natyrore e marrëdhënieve ndërkombëtare që po rikthehet. Përballë kësaj logjike, ekziston një prirje e fortë që vendet të përshtaten, të konformohen, të shmangin problemet, të shpresojnë se bindja do t’u blejë siguri.
Epo, nuk do të ndodhë kështu.
Pra, cilat janë opsionet tona?
Në vitin 1978, disidenti çek Václav Havel, më vonë president, shkroi një ese me titull Fuqia e të Pafuqishmëve. Në të, ai bënte një pyetje të thjeshtë: si arriti sistemi komunist të mbijetonte?
Dhe përgjigjja e tij fillonte me një shitës perimesh.
Çdo mëngjes, ky tregtar vendoste në vitrinën e dyqanit të tij një pankartë: “Punëtorë të botës, bashkohuni”. Ai nuk besonte në të, askush nuk besonte, por gjithsesi e vendoste për të shmangur problemet, për të sinjalizuar bindje, për t’u përshtatur. Dhe për shkak se çdo dyqan në çdo rrugë bënte të njëjtën gjë, sistemi vazhdonte të ekzistonte — jo vetëm përmes dhunës, por përmes pjesëmarrjes së njerëzve të zakonshëm në rituale që ata privatisht e dinin se ishin të rreme.
Havel e quajti këtë “të jetosh brenda gënjeshtrës”.
Fuqia e sistemit nuk vinte nga e vërteta e tij, por nga gatishmëria e të gjithëve për të vepruar sikur ishte i vërtetë. Dhe brishtësia e tij vinte nga i njëjti burim. Kur edhe vetëm një person ndalon së luajturi rolin, kur shitësi i perimeve e heq pankartën, iluzioni fillon të çahet.
Miq, ka ardhur koha që kompanitë dhe shtetet t’i heqin pankartat nga vitrinat e tyre.
Për dekada, vende si Kanadaja kanë prosperuar brenda asaj që e quanim rend ndërkombëtar i bazuar në rregulla. Ne iu bashkuam institucioneve të tij, i lavdëruam parimet e tij dhe përfituam nga parashikueshmëria e tij. Falë kësaj, mundëm të ndiqnim politika të jashtme të bazuara në vlera, nën mbrojtjen e tij.
Ne e dinim se historia e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla ishte pjesërisht e rreme: se më të fortët do të përjashtonin veten kur u leverdiste, se rregullat tregtare zbatoheshin në mënyrë asimetrike dhe se e drejta ndërkombëtare zbatohej me ashpërsi të ndryshme, në varësi të identitetit të të akuzuarit apo të viktimës.
Ky trillim ishte i dobishëm. Dhe hegjemonia amerikane, në veçanti, kontribuoi në shumë mënyra: rrugë detare të hapura, një sistem financiar të qëndrueshëm, siguri kolektive dhe mekanizma për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Kështu, ne vendosëm pankartën në vitrinë. Morëm pjesë në rituale dhe, në masë të madhe, shmangëm denoncimin e hendekut mes retorikës dhe realitetit.
Ky pakt sot nuk funksionon më.
Le të jem i drejtpërdrejtë: jemi në mes të një çarjeje, jo të një tranzicioni.
Gjatë dy dekadave të fundit, një sërë krizash — financiare, shëndetësore, energjetike dhe gjeopolitike — kanë zbuluar rreziqet e një integrimi global ekstrem. Së fundmi, fuqitë e mëdha kanë filluar ta përdorin integrimin ekonomik si armë: tarifat si levë, infrastrukturën financiare si mjet shtrëngimi, zinxhirët e furnizimit si dobësi për t’u shfrytëzuar.
Nuk mund të jetosh brenda gënjeshtrës së përfitimit të ndërsjellë përmes integrimit, kur integrimi bëhet burimi i nënshtrimit tënd.
Institucionet multilaterale mbi të cilat janë mbështetur fuqitë e ndërmjetme — OBT-ja, OKB-ja, konferencat e klimës — e gjithë arkitektura e zgjidhjes kolektive të problemeve, janë nën kërcënim.
Si rezultat, shumë vende po arrijnë në të njëjtin përfundim: duhet të zhvillojnë më shumë autonomi strategjike në energji, ushqim, minerale kritike, financë dhe zinxhirë furnizimi. Dhe ky impuls është i kuptueshëm.
Një vend që nuk mund të ushqejë veten, të furnizohet me energji apo të mbrohet, ka pak zgjedhje. Kur rregullat nuk të mbrojnë më, duhet të mbrohesh vetë.
Por le të jemi realistë për ku na çon kjo. Një botë fortesash do të jetë më e varfër, më e brishtë dhe më pak e qëndrueshme.
(…)
Fuqitë e ndërmjetme duhet të veprojnë së bashku, sepse nëse nuk je në tryezë, je në menu.
(…)
Rendi i vjetër nuk do të kthehet. Nuk duhet ta vajtojmë. Nostalgjia nuk është strategji. Por nga kjo çarje mund të ndërtojmë diçka më të madhe, më të fortë, më të drejtë.
Të fuqishmit kanë fuqinë e tyre. Por edhe ne kemi diçka: aftësinë për të ndalur së shtiruri, për ta quajtur realitetin me emrin e tij, për të ndërtuar forcën tonë brenda vendit dhe për të vepruar së bashku.
Kjo është rruga e Kanadasë. Ne e zgjedhim hapur dhe me besim — dhe është një rrugë e hapur për çdo vend që dëshiron ta ndjekë me ne.” / Mark Carney, kryeministër i Kanadasë. Fjalimi i mbajtur në Forumin Ekonomik të Davosit – Përgatiti në shqip Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit