zoom

Lajme

Rama tallet live me kryebashkiakët: Benet Becit i doli mjekra dhe akoma s’e ka bërë punën

Rama tallet live me kryebashkiakët: Benet Becit i doli mjekra dhe akoma s’e ka bërë punën

Kryeministri Rama kritikoi, nominalisht, drejtuesit e bashkive, të cilët nuk kanë zhvilluar projektin e Paketës së Maleve.

Edi Rama iu drejtua kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Becit, ku me humor i tha se kur ky projekt u nis, Beci nuk kishte mjekët, e sot që e ka, akoma nuk ka dorëzuar hartat për zonat prioritare.

“Kjo vlen deri tek Benet Beci, që ka qenë promotori i kësaj paketa dhe unë Shkodrën nuk e shoh këtu. E kemi nisur këtë punë bashkë kur ti nuk kishe mjekër. Unë kisha dhe ti nuk kishe, tani mjekra të është bërë si mua dhe harta nuk ka ardhur akoma.”

Por ai nuk u ndal këtu, teksa shihte kryebashkiakët që komunikonin me njëri-tjetrin për ato që kërkonte kryeministri, Rama ndërhyri dhe “goditi” kryebashkiaken e Dimalit (Ura Vajgurore), Juliana Mema.

“Edhe ti s’e ke sjellë, mos i tund kokën atij aty, mos fol me Xhakollin (i drejtohet kryebashkiakes së Dimalit, Juliana Mema). Unë e di që ti ke trasenë e Leninit që të flasësh me 7 veta (i drejtohet përsëri Memës), por po them se kjo paketë u bë për të lehtësuar totalisht ata që duan të investojnë te toka e të parëve të tyre dhe s’i kanë dokumentet. Vijnë në bashki, shprehin interesin, e presin. Ndaj krijohet mundësia, jepet një kontratë me një çmim një euro, e mundëson kontrata këtë, ai e bën investimin derisa të fitojë edhe të drejtën e tokës në fund të mbarojë procesi”, nënvizoi kreu i qeverisë.

Kryeministri gjithashtu ka shkëmbyer batuta dhe me kryebashkiakët demokratë, të cilët gjithashtu nuk kanë dorëzuar hartat.

“Edhe Memaliaj edhe Fushë Arrzi që janë këtu hudhrat që na mbrojnë nga syri i keq me lëkurën e tyre blu nuk kanë sjellë gjë, kështu që ju kanë shpëtuar nga vënia në pozitë të vështirë. Kjo tregon që si majtas dhe djathtas, kur shqiptarët flenë gjumë flenë gjumë. Brenda muajit tetor duhet të vijnë hartat”, tha Rama.

Postime të lidhura