zoom

In Zoom

Rama, një kryeministër i papunë. Deri në Azerbajxhan për të marrë një pikturë

Si rrallë herë në vizitat e kryeministrit Edi Rama jashtë vendit, për vizitën e tij në Azerbajxhan, zyra e tij e shtypit u mjaftua vetëm me një postim në rrjetet sociale ku njoftonte se ai ishte për një vizitë në Baku dhe ku kishte takuar presidentin Ilham Aliyev.

“Me ftesë të Presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, për një bilanc të ecurisë së marrëdhënieve pas vizitës së tij në Shqipëri, ku u vendosën piketa të rëndësishme konkrete bashkëpunimi, si edhe për ta falënderuar për dekretin presidencial të çeljes së ambasadës së Azerbajxhanit në Tiranë”, shkroi stafi i Ramës në facebook.

Vetëm kaq. Në këtë postim nuk jepej asnjë detaj tjetër, veçse nga fotot mundej të mësohej diçka më shumë.

Mësohej përshembull që kryeministri shoqërohej nga zëvendëskryeministrja Balluku dhe ministrja e Turizmit, Kumbaro.

Gjithashtu mësohej edhe fakti se kreu i qeverisë kishte marrë një pikturë dhuratë nga i zoti i shtëpisë. Por nuk mësohej asgjë më shumë se kush ishte autori.

Vetë zyra e shtypit e presidentit azer bëri të ditur se bëhej fjalë për një pikturë të realizuar nga vajza e tij Leyla Aliyeva.

Natyrisht, qeveria nuk denjoi të nxjerrë asnjë njoftim lidhur me këtë vizitë që vjen në fakt vetëm 20 ditë pasi Aliyev vizitoi Tiranën, ku u takua edhe me Ramën.

Ndoshta kjo se nuk kishte se çfarë të raportonte, pasi vizita siç duket edhe nga njoftimi i palës azere nuk ka pasur ndonjë diskutim konkret apo gjatë saj të jetë arritur ndonjë marrëveshje konkrete.

E vetmja gjë që konfirmohet si nga postimi i Ramës ashtu edhe nga njoftimi palës azere është fakti që Rama ka marrë një pikturë dhuratë.

Por që të marrësh rrugën dhe bashkë me një delegacion të madh qeveritarësh të shkosh deri në Azerbajxhan për të ngrënë një drekë dhe për të marrë një pikturë dhuratë, duket luks i madh për një kryeministër, qytetarët e të cilit përballen me halle pa pafund.

Kjo tregon më së paku papërgjeshmëri për detyrën e rëndësishëm që mban, pasi të lesh vendin dhe për tre ditë me radhë dhe të endesh anemban botës për udhëtime qejfi është vërtetë shumë për kushtet e Shqipërisë.

Ai ishte në Bruksel të mërkurën dhe pas Azerbajxhanit u nis drejt Turqisë. Por kur udhëtimin ta paguajnë të tjerët, si Pacolli në këtë rast apo shqiptarët në rastet e tjera dhe kur për qytetarët nuk të intereson asgjë, sigurisht që qejfi vjen i pari. /Zoom.al