zoom

Aktualitet

Rama: Nëse kërcënohet Kosova, preket edhe Shqipëria

Rama: Nëse kërcënohet Kosova, preket edhe Shqipëria

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se siguria e Kosovës është e lidhur ngushtë me atë të Shqipërisë, duke theksuar se çdo kërcënim ndaj Prishtinës prek drejtpërdrejt edhe Tiranën.

Në një intervistë për median turke “Türkiye Today”, Rama hodhi poshtë pretendimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiç për ekzistencën e një aleance ushtarake mes Shqipërisë, Kosovës dhe Croatia. Sipas tij, këto deklarata nuk kanë bazë dhe lidhen me mënyrën se si Beogradi e sheh situatën në rajon.

Rama theksoi se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe se stabiliteti i saj është thelbësor për të gjithë rajonin. Ai u shpreh se nëse Kosova do të përballej me një rrezik serioz ekzistencial, atëherë edhe Shqipëria do të konsideronte veten të kërcënuar.

“Kosova është e pavarur; është republikë. Ky proces është i pakthyeshëm. Nëse Kosova preket, preket edhe Shqipëria. Nëse Kosova është nën një kërcënim ekzistencial, Shqipëria është nën një kërcënim ekzistencial”, u shpreh Rama.

Gjatë intervistës, kryeministri shqiptar kritikoi gjithashtu retorikën e presidentit serb, duke thënë se Vuçiç vazhdon të jetë i fiksuar pas çështjes së Kosovës. Sipas Ramës, kjo qasje shpesh e shtyn atë të bëjë deklarata që nuk përputhen me realitetin politik në Ballkan.

Duke folur për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Rama pranoi se perspektiva e Tiranës për këtë proces është e ndryshme nga ajo e autoriteteve në Kosovë, për shkak të rolit dhe përgjegjësive të ndryshme që kanë palët në këtë çështje./ Zoom.al

Postime të lidhura