Aplikacion
Çmimet janë rritur, jetesa është shtrenjtuar, gjithkush përpiqet të kursejë, qytetarët po i nxjerrin gjithnjë e më pak makinat për të kursyer karburantin që vërtitet në vlera rekord, blerjet kanë rënë, tryezat në familje kanë gjithnjë e më pak prodhime, kriza ka prekur biznesmenë, të punësuar, pensionistë e çdo shtresë tjetër.
Por vetëm për qeverinë dhe kryetarin e saj, asgjë s’ka ndryshuar. Ministrat lëvizin me makina të shtrenjta e me fuqi motorike të mëdha edhe në distanca prej dhjetra metrash, nga ministritë në parlament, ndërsa vetë ai nuk heq dorë nga lodra e shtrenjtë, e falur në mënyrë të dyshimtë nga vëlla Erdogani, që u kushton shqiptarëve sa qimet e kokës sa herë Rama i hipën në bord.
Ai ishte zotuar se do të fluturonte në Economy Class me avionë të linjës. Por kjo ka ndodhur në raste sporadike. Ai nuk preferon më as Business Class, por përdor një avion vetëm për vete.
Pas Berlinit, javën që shkoi, sot Edi Rama udhëtoi me avionin qeveritar të pagëzuar me emrin “Ismaili”, edhe në Azerbajxhan. Dhjetëra mijëra euro janë shpenzimet vetëm për karburantin, pa llogaritur kostot aeroportuale apo ato të ekuipazhit që shërben në avionin me dhomë gjumi, ku zakonisht udhëtojnë sheikët.
Zoom.al, referuar agjencive të specializuara, përllogariti një kosto mes 11 dhe 15 mijë eurosh për çdo orë fluturim të avionit TC-ANA, Airbus A319-115. Udhëtimi për në Baku është mbi 5 orë vetëm vatje.
Qeveria nuk i ka bërë asnjëherë publike shpenzimet e këtij avioni, një mjet luksoz që kushton afro 40 milionë dollarë, të cilin nuk e kanë as kryeministra të vendeve të përparuara si Norvegjia, Spanja etj.
Vetë kryeministri është mjaftuar duke thënë se ai shpenzon më pak se paraardhësit e tij për bileta të paguara nga fondi i kryeministrisë.
Por Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative arriti të zbulojë se pagesat për “Ismailin” nuk bëhen nga fondi i kryeministrisë, por nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, e cila ka refuzuar deri tani të japë informacione për paratë që ka harxhuar për udhëtimet e kryeministrit.
Janë afro 40 fluturimet e kryera në rajon e vende të ndryshme të botës. Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare injoroi edhe një kërkesë gjysmake të opozitës për informacion. E bërë më 3 shkurt, kur kanë kaluar më shumë se 2 muaj, nga kërkesa e opozitës nuk ka më asnjë gjurmë.
Vetë PD nuk është kujtuar më, edhe pse ky rast unik në historinë e këtij vendi mund të shndërrohej në një skandal politik. Në vende të tjera me demokraci normale, qeveritë kanë rënë për shumë më pak.
Sa për kujtesë, ish-kryeministri Nikolla Gruevski i Maqedonisë së Veriut është ende në kërkim për abuzime në vlerën e vetëm 200 mijë eurove në blerjen e një makine dhe u sanksionua javën e kaluar nga SHBA.
Në Shqipëri, kryeministri ka arritur pikën kulmore të talljes me qyetarët, sa me opozitën e tani edhe me ndërkombëtarët, siç ironizoi një ditë më parë raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit që theksonte se qeverisja ishte e korruptuar në çdo degë të saj, duke thënë se ishte një “copy-paste” i një viti më parë.
Aq larg realitetit jeton ai në luksin e “Ismailit”, saqë teksa vendi mund të kalojë në krizën e bukës, u thotë shqiptarëve se, në vend të drithit, ka ndërmend të mbjellë bimë narkotike. /Zoom.al