zoom

Politikë

Rama insiston me gjuhën përçarëse për Kosovën. Flet për Kosovë të Veriut

Rama insiston me gjuhën përçarëse për Kosovën. Flet për Kosovë të Veriut

Teksa parlamenti po diskuton disa projektligje të rëndësishme, si ai për studentët e mjekësisë që janë në protestë, ai për kanabisin dhe kur çështjes së inceneratorëve i ka dalë tymi, kryeministri Rama ka zgjedhur të bëjë sërish politikë me Kosovën.

Taktikë për të hequr vëmendjen nga çfarë po ndodh në parlament apo përdorim i situatës në Veri të Kosoës për “hall personal” siç thotë opozita, kryeministri Rama drejtoi një thirrje  për gjetjen e një zgjidhje, por që duket se i hedh më shumë benzinë zjarrit.

Së pari, kreu i qeverisë shqiptare, në mesazhin e tij në Twitter, flet për Kosovë të Veriut dhe jo për veriun e Kosovës, një terminologji kjo që duket e zgjedhur me qëllim për të treguar një ndarje administrative të re brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Së paku kjo është një gafë e rëndë, nëse nuk fsheh pas planet për shkeputjen e kësaj zone nga Kosova si pjesë e planit të vjetër për shkëmbimin e territoreve, pas të cilit, sipas ish -këshilltarit të Presidentit Trump për sigurinë, John Bolton, qëndronte Edi Rama, Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi.

Kosova nuk ka asnjë rajon brenda territorit të saj që ta quajë “Kosova e Veriut”. E thënë në këtë mënyrë kjo është një toponim. Si  orientim gjeografik, zona për të cilën flet kryeministri është veriu i Kosovës. Njësoj si të thuash veriu i Shqipërisë dhe Shqipëria e Veriut.

Së dyti, kryeministri i Shqipërisë përmend sërish rajonin e Donbasit si paralelizëm për veriun e Kosovës, një krahasim që nuk është bërë deri tani nga asnjë lider perëndimor.

Nëse nuk është e qëllimtë, Edi Rama së paku po e sjell Donbasin si shembull, teksa askush në Kosovë dhe as në perëndimin që e bëri Kosovën të pavarur dhe garanton sigurinë e saj, nuk flet për ndonjë rrezik të cënimit të integritetit territorial.

Në Shqipëri e Kosovë, kritikë e diplomatë e kanë akuzuar Ramën se po fut hundët në punë që nuk i takojnë dhe po përdor një taktikë përçarëse mes Shqipërisë e Kosovës.

Edi Rama ishte politikani më i ashpër në deklaratat e tij për situatën në veri të Kosovës dhe me një akt të paprecedent anuloi edhe mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive.

Opozita në Shqipëri e ka akuzuar se po përpiqet ta tensionojë qëllimisht situatën në veri të Kosovës për shkak të problemeve që ai ka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me dosjen “McGonigal”, për të treguar se ai mund të luajë fijet e stabilitetit të Ballkanit nëse do të cënohet nga hetimi i FBI.

Pak javë më parë ai ndërmori një iniciativë të pakërkuar nga askush dhe të pakonsultuar me qeverinë e Kosovës duke dërguar një draft në Berlin e Paris, si zgjidhje për Asociacionin, draft për të cilin nuk ka asnjë reagim nga dy kancelaritë më të rëndësishme të Europës.

Por përpjekja e Ramës për t’u faktorizuar me Kosovën duket se s’ka fund. Në mesazhin e fundit sot ai merr përsipër t’i tregojë Bashkimit Europian se çfarë duhet të bëjë për të zgjidhur situatën mes Kosovës e Serbisë edhe pse askush s’i ka kërkuar asgjë në këtë drejtim. /Zoom.al

STATUSI I KRYEMINISTRIT EDI RAMA

BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar një zbatim të shpejtë të Marrëveshjes Themelore. Rajoni ynë nuk mund të bëhet peng  i një krize të pafund mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të lejojmë që as Kosova Veriore, ku kufiri mes krimit të organizuar dhe politikës vendase është i paqartë, të bëhet një Donbass i Vogël nga një kryengritje e nxitur nga Rusia dhe as Dialogu të bëhet një lojë fajësimi të Ballkanit të Vjetër, nga mungesa e një vullneti real dhe të fortë të palëve të përfshira në të! Diskutimet janë të mira, por ajo që i nevojitet rajonit është një përparim para se të jetë tepër vonë.

The EU needs to act firmly to secure a swift implementation of the Basic Agreement. Our region cannot become a hostage of a neverending crisis between Kosova and Serbia. We cannot allow nor the Northern Kosova, where the line between organized crime and local politicis is blurred, to become a Little Donbass out of un upraise fueled by Russia and either the Dialogue to become an Old Balkan blame game, out of the lack of a real and strong will of the parties involved in it! Discussions are good, but what the region needs is a breakthrough before it is too late.