zoom

Aktualitet

Rama i zgjat Kastratit me 13 vjet koncesionin e Rinasit

Qeveria shqiptare e rinegocioi sërish kontratën koncesionare të aeroportit “Nënë Tereza”. Kësaj here, bisedimet janë me pronarët e rinj të TIA-s, “Kastrati Group”, një kompani që kontrollon edhe aeroportin e Kukësit dhe koncesionin e Rrugës së Kombit.

Nga rinegocimi, “Kastrati Group” merr përsipër të kryejë një investim prej 99 miionë eurosh dhe të ulë me 2.5 euro taksën për çdo udhëtar.

Investimi parashikon zgjerim të terminalit e pistës dhe rritjen e sigurisë. (shih tabelën e publikuar nga zoom.al)

Për të gjitha këto, koncesionari do të përfitojë edhe 13 vjet të tjera shfrytëzim. Por a është e ligjshme një kontratë e tillë? Burime nga qeveria i thanë zoom.al se zgjatja e afatit ka të bëjë me kthimin e investimit. Kjo është koha që, sipas përllogaritjes së koncesionarit, do t’i duhet atij që të marrë mbrapsht 99 milionë eurot që do të investojë.

Opozita reagoi menjëherë duke e quajtur aferë korruptive dhe duke paralajmëruar anulimin e saj sapo të vijë në pushtet.

“Çdo akt koncesioni, PPP apo zgjatje koncesioni i propozuar nga qeveria ne ikje, është në shkelje flagrante të ligjeve të vendit. Zotohem para çdo shqiptari se unë dhe qeveria ime nuk do të njohim asnjë akt të tillë dhe do ta zhbëjmë atë.Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” do tu kthehet shqiptarëve dhe shtetit të tyre sipas përcaktimeve fillestare të kontratës koncesionare. Shqipëria do tu kthehet shqiptarëve!”, shkroi Lulzim Basha në një reagim të posaçëm.

Ky është koncesioni i dytë i “Kastrati Group” që opozita thotë se do ta anulojë. I pari është ai për Rrugën e Kombit, për të cilin Basha ka premtuar se do të jetë vendimi i parë i qeverisë së tij. /Zoom.al