Aplikacion
Nga Zoom.al
Vetëm dy ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit, qeveria ka miratuar një vendim që mund të përkthehet si amnisti administrative e heshtur, me pasoja të ndjeshme politike dhe ligjore. Bëhet fjalë për zbatimin e ligjit nr. 127/2024, i cili u jep të drejtë institucioneve si IKMT, AKU, Inspektorati Shëndetësor, Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake të shfuqizojnë masat administrative të paekzekutuara ndër vite – gjoba, urdhra bllokimi, pezullime apo prishje ndërtimesh.
Në thelb, mijëra masa të mbetura në letër, që për arsye të ndryshme nuk janë zbatuar, mund të anulohen, pa pasur nevojë për ekzekutim apo verifikim të mëtejshëm.
Koha kur ky merret ky vendim, në prag të heshtjes zgjedhore, ngre dyshime të forta për një lëvizje me prapavijë elektorale. Vendimi prek drejtpërdrejt ndërtues, biznese me shkelje mjedisore, ushqimore, apo edhe individë me masa të pashlyera administrative, pra një grup i gjerë që, në mënyrë të qartë, mund të konsiderohet si elektorat potencial.
Qeveria e shet këtë si një veprim “rregullator dhe pastrues”, për të mbyllur dosje të vjetra që nuk kanë përparuar. Por mënyra si dhe kur po bëhet, ngre alarmin për abuzim me pushtetin administrativ në mes të fushatës, për qëllime të pastra elektorale./ Zoom.al