zoom

In Zoom

Qeveria shqiptare mbyll TikTok -un për 1 vit: Një manovër elektorale e maskuar si kujdes për sigurinë publike

Qeveria shqiptare e drejtuar nga Edi Rama vendosi sot të mbyllë përfundimisht aplikacionin TikTok për 12 muaj. Vendimi vjen pas paralajmërimeve të shumta që kishte bërë kryeministri Rama pasi, sipas tij, TikTok ishte bërë shkak për raste të rënda dhune mes të rinjve.

Por ky akt drastik ka ngritur shqetësime serioze mbi lirinë e shprehjes dhe qëllimet e vërteta që qëndrojnë pas tij. Kryeministri Edi Rama e ka justifikuar këtë vendim duke e lidhur me një incident tragjik, ku një adoleshent 14-vjeçar humbi jetën pas një konflikti që pretendohet se filloi në TikTok. Megjithatë, ky veprim duket më shumë si një përpjekje për të kontrolluar narrativën publike në prag të zgjedhjeve parlamentare, sesa një masë e mirëfilltë për të mbrojtur të rinjtë.

Teksa siguria e fëmijëve është një shqetësim legjitim për çdo prind, politikan e institucion, jo vetëm në Shqipëri, por në çdo vend të botës, mbyllja e një platforme të tërë sociale për shkak të një incidenti të izoluar është një përgjigje e tepruar dhe e pabazuar.

TikTok ka deklaruar se nuk ka prova që viktima apo autori i krimit të kenë pasur llogari në platformën e tyre, duke sugjeruar se konflikti mund të ketë origjinë diku tjetër. Për më tepër, në vend që të adresojë problemet themelore si edukimi mbi përdorimin e sigurt të internetit dhe forcimi i masave kundër bullizmit, qeveria ka zgjedhur rrugën e censurës masive.

Frikë nga kritika në rritje kundër qeverisë

TikTok është bërë një platformë ku qytetarët, veçanërisht të rinjtë, shprehin mendimet e tyre pa filtrat e mediave tradicionale. Kjo liri e shprehjes ka sjellë një rritje të kritikave ndaj qeverisë dhe politikave të saj. Në prag të zgjedhjeve, kjo është një sfidë për një qeveri që kërkon të kontrollojë imazhin e saj publik. Duke mbyllur TikTok-un, Rama synon “t’i mbyllë gojën” një prej platformave kryesore ku opozita dhe qytetarët e pakënaqur mund të organizohen dhe të shpërndajnë mesazhet e tyre.

Duke e kuptuar këtë frikë të Ramës, opozita dhe organizatat e shoqërisë civile kanë dënuar këtë vendim si një sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe një përpjekje për të manipuluar procesin demokratik. Përfaqësues të opozitës e kanë quajtur këtë vendim si një akt “diktatorial” dhe një “abuzim të pushtetit për të shtypur liritë”. Sipas tyre, ky vendim është një manovër elektorale e pastër, duke pasur parasysh se TikTok është një nga platformat ku qeveria ka më pak kontroll mbi përmbajtjen.

Nga ana tjetër, është ironike që një kryeministër që përdor aktivisht rrjetet sociale për të komunikuar me publikun, tani zgjedh t’i mbyllë ato kur ato kthehen në një mjet kritike ndaj tij dhe qeverisë që drejton. Ky veprim tregon një standard të dyfishtë dhe një mungesë të tolerancës ndaj mendimeve të kundërta.

TikTok vs. problemeve reale të rinisë shqiptare

Mbyllja e TikTok-ut për një vit nuk do të ndryshojë sjelljen e të rinjve shqiptarë, sepse problemet e tyre kryesore shkojnë përtej një aplikacioni social. Të rinjtë në Shqipëri përballen me sfida shumë më të mëdha, të cilat burojnë nga problemet e thella socio-ekonomike dhe mungesa e perspektivës për të ardhmen.

Një nga sfidat më të mëdha është gjetja e një vendi pune të qëndrueshëm dhe të mirëpaguar. Mungesa e mundësive në tregun e punës po i shtyn drejt emigracionit, si ata pa diploma universitare, si ata me arsim të lartë. Ky eksod masiv po e zbraz vendin nga gjenerata e tij më energjike dhe e aftë.

Sistemi arsimor në Shqipëri vazhdon të jetë problematik, me mungesë të theksuar programesh të përshtatura me tregun e punës dhe larg realitetit praktik. Universitetet prodhojnë çdo vit mijëra të diplomuar që nuk arrijnë të gjejnë punë në fushën e tyre.

Shqipëria ka një mungesë të madhe të hapësirave publike ku të rinjtë mund të zhvillojnë talentet e tyre apo të kalojnë kohën në mënyrë produktive. Shumë qytete nuk kanë qendra kulturore, biblioteka të mirëmbajtura apo hapësira për aktivitete kreative dhe inovative. Për pasojë, rrjetet sociale kanë mbetur thuajse i vetmi argëtim, pavarësisht faktit se ato tashmë janë një “trend” në mbarë botën.

Një tjetër shqetësim i madh për të rinjtë është fakti se suksesin shpesh nuk e përcakton puna, aftësia, kontributet apo vlerat e secilit, por lidhjet dhe njohjet. Korrupsioni dhe nepotizmi në punësime dhe institucione i kanë dekurajuar të rinjtë, duke i shtyrë të kërkojnë mundësi jashtë vendit.

Fajin e kanë gjithnjë të tjerët

Edhe pse TikTok është një nga platformat më të përdorura nga të rinjtë, problemet nuk qëndrojnë tek vetë aplikacioni, por tek kultura e konsumizmit dhe ndikimi negativ i modeleve të rreme të suksesit që promovohen online. Mbyllja e TikTok-ut nuk e zgjidh këtë problem, pasi të rinjtë thjesht do të kalojnë në platforma të tjera. E bashkë me ta, edhe kritikat ndaj qeverisë Rama. Por koha deri kur përdoruesit e TikTok -ut të rigjejnë ndjekësit e tyre në Instagram, Facebook apo Snapchat, do të jetë e mjaftueshme për qeverinë që ata të mos kenë zë dhe ndikim në fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit.

Nëse do të ishte realisht e shqetësuar për sigurinë dhe të ardhmen e të rinjve, në vend që të kufizojë një platformë sociale, qeveria duhet të ishte fokusuar te krijimi i mundësive për të rinjtë, përmirësimin e arsimit, luftën kundër korrupsionit dhe sigurimin e një tregu pune të ndershëm. Përndryshe, mbyllja e TikTok-ut është thjesht një tentativë për të shmangur vëmendjen nga problemet e vërteta të rinisë shqiptare. Është njësoj si narrativa gati 15 -vjeçare, që për gjithçka “fajin e ka Saliu”, e zëvendësuar tashmë me “fajin e ka TikTok -u”. /Zoom.al

Postime të lidhura