zoom

In Zoom

Qeveria shpërdoron 9,7 mln euro me koncesionin e Check-Up

Qeveria shpërdoron 9,7 mln euro me koncesionin e  Check-Up

Qeveria shqiptare ka paguar 9,74 milion euro koncesionarin e kontrollit bazë mjekësor (Check-Up) për 644 mijë kontrolle të parealizuara për periudhën 2015-2020. Kjo shifër është e publikuar në raportin për koncesionet nga Ministria e Financave.

Çdo vit shoqëria koncesionare paguhet 876 milion lekë për 475 mijë kontrolle të planifikuara, ose 1,844 lekë për kontroll. Në kontratën e tipit PPP përcaktohet që shoqëria koncesionare duhet të realizojë 475 mijë kontrolle bazë në vit. Në rast se nuk i plotëson, diferenca paguhet nga shteti.

Sipas të dhënave zyrtare, kompania “3P Life Logistic” që ka fituar koncesionin, i ka realizuar vetëm në vitin 2019 kontrollet e planifikuara, duke justifikuar në këtë mënyrë pagesat që merr nga buxheti i shtetit.

Në vitin 2020, për shkak të pandemisë Covid-19, kjo kontratë koncesionare u pezullua në  17.03.2020, në zbatim dhe përputhje me masat e marra për pandeminë. Ajo hyri sërish në fuqi në shtator, por u ndërpre për të dytën herë me qëllim hartimin e modaliteteve dhe protokolleve përkatëse në kushtet e pandemisë.

Në total, gjatë vitit 2020 kanë përfituar shërbimin e “check up” 101,426 persona dhe pagesa nga buxheti i shtetit ka qënë 322 milion lekë. 2020 rezulton kështu viti me numrin më të ulët të kontrolleve të realizuara në 6 vjet.

Tabela 1

Viti Nr. i Përfituesve Pagesat nga qeveria

Shqiptare në LEKË

Pagesa për Check-Up të

Parealizuara në LEKË

2015 244,420 876,083,000 419,372,520
2016 329,555 876,083,000 262,383,580
2017 316,601 876,083,000 286,270,756
2018 428,891 876,083,000 85,207,996
2019 482,716 876,083,000
2020 101,426 322,322,000 135,292,456
TOTALI 1,903,609 4,702,737,000 1,188,527,308 ose

(9,742,207 euro)

Burimi: Ministria e Financave

Problem nuk është vetëm pagesa për shërbime të parealizuara, por edhe TVSH-ja. Kjo për faktin se vijojnë të pranohen dhe likuidohen faturat tatimore mujore të Check-Up, lëshuar nga koncesionari, duke përfshirë edhe TVSH në masën 20% mbi vlerën e shërbimit shëndetësor, ndërkohë që ky shërbim duhet të trajtohet si Furnizim i Përjashtuar nga TVSH, sipas përcaktimit ligjor. Ky konstatim është bërë edhe në auditimet e mëparshme nga KLSH (Kontrolli i Lartë i Shtetit), për të cilën është paraqitur edhe interpretimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, që ka referuar trajtimin si shërbim të tatueshëm.

PPP e “Check UP” u nënshkrua nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2015, si ofertë e pakërkuar nga kompania “3P Life Ligistic” e Vilma Nushit, në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Ilir Beqaj.

Ky shërbim përfitohet falas nga të gjithë shtetasit e grupmoshës 35-70 vjeç, me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë. Risku financiar i kontratës mbartet nga shteti shqiptar.

“Në lidhje me risqet që rrjedhin nga zbatimi i kontratës koncesionare, tek pala private janë transferuar risku i ndërtimit, risku i operimit dhe performancës, risku i transferimit të aseteve, ndërsa risku i ndryshimeve ligjore, risku material nga vendimet politike, risku financiar i janë alokuar palës publike. Ndërkohë, janë ndarë mes palëve risku i kërkesës, risku i forcës madhore, risku i rinegocimit, risku i ndërprerjes së kontratës dhe risku i lejeve dhe licencave”, thuhet në kontratë.

Për të realizuar planin, autoritetet shëndetësore u dërguan kërkesa detyruese mjekëve të familjes, që të realizonin një plan të caktuar të referimeve për kontrollet e “check up”.

Kontrata koncesionare, me vlerë afro 120 milionë euro, ka nisur të implementohet në datë 31.03.2015 dhe ka afat 10-vjeçar. Në bazë të kësaj kontrate, shoqëria koncesionare ka marrë përsipër të ndërtojë, të pajisë me aparaturat mjekësore të nevojshme, të operojë dhe të menaxhojë 20 laboratore./ Armand Kullau –Zoom.al