zoom

Ekonomi

Qeveria propozon që uji i pijshëm të bëhet me koncesion

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë propozon që të zgjidhë ngërçet e ujësjellës-kanalizimeve me anë të koncesionit.

Në projektligjin e hedhur së fundmi për konsultim publik “Për sektorin e furnizimit me ujë dhe largimin, grumbullimin e trajtimin e ujrave të ndotura urbane”, MIE parashikon në nenin 25 edhe këtë alternativë.

“Dhënia me koncesion, apo me një marrëveshje të partneritit publik privat, e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm, largimit, grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane bëhet në përputhje me ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat dhe aktet nënligjore, që përcaktojnë kërkesat dhe procedurat përkatëse”, shkruhet në dokument duke theksuar se procedurat do të bazohen në ligji për PPP-të dhe se konfirmimin e jep ministria bashkë me Entin Rregullator të Ujit.

Operatori që do të marrë këtë përgjegjësi, do të mundësojë furnizimin dhe shitjen e ujit të pijshëm, trajtimin e ujërave të ndotura si edhe mirëmbajtjet e sitemeve. Ai do të licencohet nga ERRU për aktivitetin.

Ministria parashikon dhe dy forma të tjera të menaxhimit të këtij sektori; kontratat e performacës dhe ‘operatori i alternativës së fundit’.

Forma tjetër e bashkëpunimit mes dy pushteteve për furnizimin me ujë të pijshëm kur ndërmarrjet e ujësjellës kanalizimeve dështojnë do të jetë edhe nëpërmjet kontratave të perfomancës.

Kontratat e performancës do të lidhen midis njësisë që pushtetit lokal dhe ministrisë përgjegjëse, dhe do të quhen SKP, Subjekt i Kompetencave të Përbashkëta. Në këtë kotratë përcaktohen treguesit, që do të arrihen në bazë vjetore nga operatorët. Kontratat e performancës nënshkruhen nga agjencia kombëtare për furnizimin me ujë të pijshëm, largimin, grumbullimin dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane dhe njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse

Operatori i alternativës së fundit është operatori që ka detyrimin e shërbimit publik, të marrë përsipër shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm dhe të largimit, grumbullimit e trajtimit të ujërave të ndotura urbane për një, ose më shumë zona shërbimi, në rast të mosperformancës nga operatori i licencuar.

Operatori i alternativës së fundit mund të jetë me kapital shtetëror, ose privat dhe në çdo rast i nënshtrohet licencimit nga ERRU-ja për të ushtruar veprimtarinë në përputhje me kohëzgjatjen e përcaktuar në licencën e lëshuar prej tij.

Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve kanë qenë prej kohësh dhimbje koke për bashkitë dhe qeverinë, duke u bërë një barrë financiare e kosniderueshme. Shumë prej tyre janë në prag falimenti për shkak të keqmenaxhimit financiar, mosarkëtimet dhe shpenzimet e larta.