zoom

Ekonomi

Qeveria pranon dështimin me ndihmën ekonomike: U përjashtuan familjet e varfra dhe pati keqmenaxhim

Qeveria shqiptare po synon të rrisë mbështetjen për grupet vulnerabël, duke u siguruar atyre një shpërndarje më të drejtë të ndihmave ekonomike. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nxjerrë për konsultim dokumentin që parashikon politikat në harkun kohor 2024-2030 duke u ndalur nga familjet në skemën e ndihmës ekonomike, tek të moshuarit apo fëmijët.

Në dokument parashtrohet mënyra sesi ka ndryshuar skema e ndihmës ekonomike sipas pikëzimit dhe hapësirave që ekzistojnë për të përmirësuar vlerësimet përmes mekanizimit të ankimimit si dhe efikasiteti i ndihmës konkrete nga fondet e qeverisjes qendrore kombinuar me njësitë vendore.

Dokumenti thekson se, vlerësimet tregojnë që formula e pikëzimit nuk i përgjigjet sa duhet kontekstit ekonomik dhe social aktual duke u paraqitur e vjetëruar për sa i përket kritereve të kualifikueshmërisë të parashikuara në të. Aty pranohet se ka pasur përfitime të padrejta, sidomos në zonat rurale. Ndërkohë, shumë familje të varfra nuk e kanë marrë kurrë atë.

Duke shtuar shifra, qeveria pranon se mbështetja për qytetarët në nevojë ka qenë e varfër dhe nuk i ka ndihmuar ata të dalin nga jetesa e vështirë.

“Vetëm 3% e popullsisë u nxorr nga rreziku i varfërisë nëpërmjet transfertave sociale (njëra prej të cilave është ndihma ekonomike). 95% e transfertave të programit të mbrojtjes sociale janë në cash, çka pohon që shërbimet sociale në nivel vendor aktualisht janë një ofertë e varfër. Vlerësimet tregojnë që në vitin 2020, pagesa e ndihmës ekonomike për një familje me dy të rritur dhe dy fëmijë në ngarkim përfaqësonte 32.8% të pragut të rrezikut të rënies në varfëri të një familjeje me të njëjtën përbërje pa konsideruar përfitimet shtesë që familja në ndihmë ekonomike merr, por që nuk figurojnë ende të monetarizuara,” thuhet në draftin e qeverisë.

Aty theksohen 3 objektivat që pritet të arrihen deri në 2030-n.

Objektivi A1: Të përmirësohet performanca, përshtatshmëria dhe përgjigjja ndaj krizave e skemave financiare për individët (burra, gra, djem dhe vajza) në skemën e ndihmës ekonomike.

Objektivi A2: Konsolidimi i vlerësimit bio-psikosocial dhe një sistem i qëndrueshëm dhe i mirëshënjestruar për Personat me Aftësi të Kufizuara.

Objektivi A3: Përmirësimi i shënjestrimit të fëmijëve, vajza dhe djem përmes skemave financiare të ndjeshme gjinore dhe një programi mbrojtje sociale me fokus fëmijët.