zoom

Ekonomi

Qeveria, më shumë lekë për Bulevardin e Ri të Tiranës se sa mbështetje për bujqësinë

Qeveria, më shumë lekë për Bulevardin e Ri të Tiranës se sa mbështetje për bujqësinë

Sulmi rus në Ukrainë, krahas jetëve të humbura dhe shkatërrimit të infrastrukturës ukrainase, ka goditur rëndë edhe ekonominë globale, duke nxjerrë në pah varësinë që kanë shumë vende të botës nga hidrokarburet dhe drithërat ruse.

Kriza e shkaktuar është shfaqur në dy drejtime, në atë të rritjes galopante të çmimeve, ashtu edhe në mungesën e produkteve në treg. Kjo natyrisht që ka ndikuar në performancën ekonomike të vendeve të ndryshme, të cilat po ballafaqohen me pasojat e tregjeve të paqëndrueshme.

Vet Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botëror ditët e fundit kanë bërë një rishikim edhe të parashikimeve të tyre për rritjen ekonomike globale, duke ulur pritshmëritë, jo vetëm për këtë vit, por edhe për disa vite të tjera.

Kjo ka bërë që shumë vende anemban botës të nxitojnë të marrin masa, si për të mbrojtur konsumatorin, ashtu edhe për të garantuar një lloj pavarësie nga ajo që mund të ndodh në konfliktin mes Moskës dhe Kievit.

Kështu, krahas ndërhyrjeve në aspektin e krijimit të lehtësirave fiskale dhe tatimore, qeveritë kanë ndërmarrë edhe një sërë hapash për të nxitur prodhimin vendas, si një mënyrë për t’i bërë ballë mungesës së produkteve të importit që vijnë kryesisht nga Rusia dhe Ukraina, siç është mielli i grurit apo edhe vaji i lulediellit.

Hapa këto që konstatojnë në subvencionimin nga qeveria të të gjithë atyre që prodhojnë produkte bujqësore bazë për qytetarët.

Rasti i Shqipërisë

Dallim nga këto masa duket se bën vetëm Shqipëria. Kjo pasi qeveria në Shqipëri ka qendruar stoike në vendimin e saj për të mos krijuar asnjë lloj lehtësire fiskale, që do të frenonte apo zbuste sado pak rritjen e çmimeve, si të karburantit, ashtu edhe të produkteve të shportës. Qeveria socialiste ka refuzuar në vazhdimësi që të ulë apo heq, qoftë edhe përkohësisht, TVSH-në për karburantin dhe këto produkte bazë.

Qeveria është mjaftuar vetëm me dhënien e një lëmoshe, prej afro 3 mijë lekë në muaj, për një kategori të caktuar pensionistësh dhe ato familje që trajtohen me ndihmë sociale.

Nga ana tjetër ekzekutivi nuk ka marrë asnjë masë që t’i vijë në ndihmë fermerit dhe të nxisë prodhimin vendas. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, qeveria nuk ka ndryshuar asgjë nga plani i saj për bujqësinë, i hartuar vitin e shkuar dhe parashikuar në Buxhetin e Shtetit, kur Shqipëria, ashtu si edhe të gjitha vendet e tjera në botë, nuk e dinte se çfarë do ndodhte në Ukrainë.

Mbështetja për bujqësinë

Kështu, deri më tani qeveria i ka mbetur besnike parashikimit buxhetor për të mbështetur zerin “Zhvillimi Rural” me afro 3.2 mld lekë ose afro 30 mln dollarë gjatë 2022, nga të cilat afro 1.7 mld lekë janë subvencionim dhe mbështetje për prodhimin bujqësor dhe blektoral, ndërsa afro 1.5 mld janë subvencionim i naftës.

Pra qeveria ka parashikuar që t’i shpërndajë fermërëve që plotësojnë kriteret vetëm 1.7 mld lekë gjatë 2022, ndërsa 1.5 mld lekë do ja jap tregtarëve të naftës si kompensim të TVSH-së dhe akcizës për sasinë e karburantit që do u shpërndahet fermerëve.

Por ajo që bën edhe më shqetësuese këtë situatë janë pikërisht kriteret që duhet të plotësojnë fermerët për të përfituar nga ky fond subvencionimi për bujqësinë. Kjo pasi sipas kritereve të përcaktuara nga Ministria, për shkak të fragmentarizimit të tokës, shumica e fermerëve nuk arrijnë të përfitojnë dot nga kjo mbështetje. Një tjetër handikap në këtë drejtim është edhe kulturat që mbështeten, ku drithërat nuk bëjnë pjesë.

Bulevardi i Ri

Por ndërsa nuk ka lekë për të mbështetur bujqësinë dhe nxitur prodhimin vendas, qeveria në anën tjetër nuk ka ndërmend të heq dorë nga financimi i projekteve infrastrukturore, të cilat në këto kohë krize duke si gjera luksi.

E tillë është edhe mbështetja që qeveria i bën, nëpërmjet Bashkisë së Tiranës, projektit të Bulevardit të Ri apo Verior të Tiranës, siç njihet ndryshe dhe që fillon nga ish-Stacioni i Trenit dhe që përfundon në lumin e Tiranës. I nisur që në vitin 2013, kur Bashkia e Tiranës drejtohej nga Lulzim Basha, ky bulevard me një gjatësi 1.6 km nuk ka përfunduar ende. Përveç zvarritjes në kohë, është fakt se ai është një bulevard që nuk të çon askund, pasi ai përfundon në lumin e Tiranës.

Financimi i këtij projekt do të vinte nga një marrëveshje ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Fondit të Zhvillimit të Abu Dhabit, firmosur në datë 21 Prill 2013, me vlerë 54 milionë euro si edhe një grant prej 7 milionë eurosh nga qeveria e Katarit. Por me ardhjen e socialistëve në pushtet, marrëveshja, ashtu si edhe projekti u rishikua në vitin 2015 dhe Fondi i Abu Dhabit morri përsipër të financojë plotësisht rehabilitimin e lumit dhe bregut të tij dhe ndërtimin e pjesës së pare te bulevardit me një fond 240 milionë lekësh të reja. Pjesët e tjera të projektit që përbëhen kryesisht nga rruga e unazës, pjesa e dytë e bulevardit, punimet infrastrukturore etj., do të mbuloheshin nga Bashkia e Tiranës.

Në fakt vlera e plotë e këtij projekti nuk është bërë asnjë herë e ditur, çka është konstatuar edhe nga Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Vet bashkia në reagimet publike mediatike ka pretenduar se ky projekt kap një vlerë prej 30 milionë euro. Por edhe nëse kjo do të ishte e vërtetë, është ironike ta mendosh që edhe pse në një kohë krize qeveria jep më shumë lekë për një bulevard që nuk të çon askund sesa për mbështetjen e bujqësisë, e cila mund të garantonte të paktën furnizimin e popullatës me produktet bazë.