zoom

Bota

Putin “lëshon gojën” me liderët europianë, i quan derra të vegjël

Putin “lëshon gojën” me liderët europianë, i quan derra të vegjël

Presidenti rus Vladimir Putin ka përdorur tone të ashpra ndaj udhëheqësve europianë, gjatë një takimi vjetor me Ministrinë ruse të Mbrojtjes, duke deklaruar se objektivat e asaj që Moska e quan “operacion special ushtarak” do të përmbushen “pa kushte”.

Putin tha se nëse nuk ka gatishmëri për një diskutim thelbësor, Rusia do të vazhdojë veprimet ushtarake për atë që ai e cilësoi si “çlirimin e tokave historike” në fushën e betejës. Ai akuzoi administratën e mëparshme amerikane se e ka shtyrë qëllimisht situatën drejt konfliktit të armatosur, duke synuar, sipas tij, dobësimin apo shkatërrimin e Rusisë brenda një kohe të shkurtër.

Në fjalën e tij, Putin sulmoi edhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian, duke i akuzuar se iu bashkuan politikave të administratës së ish-presidentit amerikan Joe Biden. Ai deklaroi se me udhëheqjen europiane “dialogu është i pamundur”, duke përdorur gjuhë fyese dhe akuza të drejtpërdrejta ndaj tyre duke i quajtur edhe “derra të vegjël”.

Deklaratat vijnë në një kohë kur zyrtarë amerikanë kanë pohuar se bisedimet e mëparshme me Ukrainën në Berlin kanë zgjidhur një pjesë të madhe të çështjeve teknike, megjithatë mbeten dyshime serioze nëse Moska është e gatshme të bëjë lëshime mbi kërkesat e saj kryesore.

Putin ka këmbëngulur që Ukraina të dorëzojë zonat e mbetura të rajonit lindor të Donbasit që janë ende nën kontrollin e Kievit, një kërkesë e refuzuar kategorikisht nga autoritetet ukrainase. Moska kërkon gjithashtu kufizime të rrepta mbi ushtrinë ukrainase, ndalim të pranisë së trupave perëndimore në Ukrainë dhe ndërprerjen e mbështetjes ushtarake nga Perëndimi.

Zoom.al/

Postime të lidhura