Aplikacion
Tregjet e huaja funksionojnë dhe i nënshtrohen rregullave të kërkesë-ofertës në përcaktimin e çmimit, por në Shqipëri nuk gjen zbatim ky realitet.
Në mënyrë të vazhdueshme këtë e tregon dinamika e çmimit të naftës.
Në tregjet e huaja, nafta ndryshon shpesh çmim dhe veçanërisht në maj, sipas një raporti të fundit të Bankës së Shqipërisë, ka pësuar një rënie të dukshme në nivel global.
Por, siç është bërë traditë tashmë, kjo zbritje nuk gjeti pasqyrim në tregun shqiptar dhe konsumatorët vazhduan të paguanin njësoj naftën, edhe pse importuesit e kanë blerë atë më lirë nga tregjet globale.
“Çmimet e karburanteve gjatë këtij tremujori, veçanërisht në muajin maj, vendet e BE-së përjetuan rënie të dukshme, lëvizje kjo që nuk gjeti pasqyrim në tregun vendas. Tregu global i naftës u karakterizua nga një kërkesë e ngadaltë dhe një ofertë e lartë, dinamika që u përkthyen në çmime më të ulëta. Nga ana tjetër, prania e vazhdueshme e tensioneve tregtare nga ekonomitë më të mëdha të botës, ndikoi në ngadalësimin e normës rënëse të çmimeve të naftës gjatë këtij tremujori”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.
Realiteti shqiptar
Ndërkohë që të dhënat e Bankës Qendrore tregojnë se në maj në tregjet e huaja ka qenë zbritja më e madhe e çmimit të naftës, në tregun vendas hera e fundit kur ky çmim është ulur për konsumatorët shqiptar ka qenë në prill.
Rreth 4 muaj më parë, çmimi zbriti nga 175 lekë/litër në 173 lekë/litër. Kjo lëvizje u bë thuajse pas 6 muajsh që çmimi mbahej i pandryshuar dhe aktualisht, prej 4 muajsh të tjerë, nafta vijon të blihet çdo ditë nga shqiptarët me thuajse të njëjtin çmim, pa pasur mundësinë të përfitojnë nga ndryshimet që ndodhin në tregun e huaj.
Po ashtu, të dhënat tregojnë se në periudhën prill 2024 – prill 2025, çmimi i naftës Brent ka rënë nga 830 dollarë për ton në 626 dollarë për ton, duke shënuar një ulje prej 24.5%.
Gjithashtu, nga dinamika në tregjet e huaja, çmimi i naftës Brent u kuotua rreth mesatares 67.8 dollarë për fuçi gjatë periudhës prill-qeshor. Ky çmim është rreth 20.1% më i ulët se një vit më parë.
Por në Shqipëri nga prilli çmimi nuk lëviz. Edhe kur ndodhin reflektime, ato nuk janë në të njëjtin nivel si në tregjet e huaja.
Për shembull, në qershor 2024, çmimi i naftës ishte 184 lekë për litër, ndërkohë që në tregjet ndërkombëtare çmimi për fuçi ishte rreth 77.5 dollarë, që përkthehet në rreth 105 lekë për litër. Kjo tregon një diferencë të konsiderueshme midis çmimit të naftës në Shqipëri dhe atij në tregjet ndërkombëtare.
Një faktor tjetër që mund të ndikojë në çmimin e naftës është kursi i këmbimit të dollarit. Në vitet e fundit, kursi i këmbimit të dollarit ka pësuar zhvlerësim në tregjet ndërkombëtare, duke bërë që çmimi i naftës të jetë më i lirë në monedha të tjera. Megjithatë, ky zhvlerësim nuk ka pasur një ndikim të dukshëm në uljen e çmimit të naftës në Shqipëri, duke ngritur pyetje mbi mekanizmat e caktimit të çmimeve dhe transparencën e tyre.
Edhe pse ky problem raportohet në mënyrë të vazhdueshme, autoritetet nuk bëjnë asnjë ndërhyrje. Autoriteti i Konkurrencës e ka vendosur nën hetim tregun e karburanteve disa herë, por në asnjë rast nuk janë marrë masa.
Disa javë më parë, kryeministri Edi Rama njoftoi se do të ketë ulje të çmimit të naftës për konsumatorët, duke deklaruar se qeveria do të hyjë në treg për të blerë naftë me një kompani shtetërore.
Por derisa kjo të ndodhë, shqiptarët janë të detyruar të vazhdojnë të paguajnë çmimin aq sa e përcaktojnë tregtarët e naftës, pa marrë parasysh lëvizjet që ndodhin në treg të huaj./ Zoom.al