Aplikacion
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka kërkuar zyrtarisht Kryetarit të Kuvendit dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën që të marrin masa disiplinore ndaj dy deputetëve të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.
Kërkesa vjen pas zhvillimeve gjatë seancës plenare të 5 marsit, ku sipas socialistëve është penguar mbarëvajtja e punimeve të Parlamentit.
Në dokumentin e depozituar në Kuvend, PS argumenton se dy deputetët e opozitës, së bashku me disa kolegë të tjerë, ndërhynë disa herë gjatë fjalës së kryetarit të grupit parlamentar socialist. Sipas tyre, ndërprerjet nga salla dhe thirrjet e vazhdueshme krijuan tension dhe penguan vijimin normal të seancës.
Socialistët pretendojnë gjithashtu se situata u përshkallëzua kur deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit, duke pretenduar se gjatë diskutimit ishte përdorur gjuhë joparlamentare. Sipas PS, ky veprim u krye pa pritur vendimin e drejtuesit të seancës, i cili sipas rregullores është autoriteti që interpreton procedurat parlamentare.
Në kërkesën drejtuar Sekretariatit për Etikën thuhet se pas rifillimit të punimeve, tensionet në sallë vazhduan dhe veprimet e disa deputetëve të opozitës, veçanërisht Bardhit dhe Balliut, kanë ndikuar në prishjen e rendit gjatë seancës plenare.
Sipas pretendimeve të PS, Gazment Bardhi ka përdorur gjuhë fyese dhe kërcënuese gjatë debatit, ndërsa Klevis Balliu akuzohet për sjellje agresive dhe për dëmtim të pajisjeve në sallën e Kuvendit, përfshirë mikrofonin dhe sistemin elektronik të votimit.
Bazuar në këto pretendime dhe në pamjet filmike të seancës, socialistët kanë kërkuar përjashtimin e Gazment Bardhit nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare për 10 ditë. Ndërsa për Klevis Balliun është kërkuar një masë më e rëndë, përjashtimi nga Kuvendi për 30 ditë.
Nga ana tjetër, më herët gjatë ditës Partia Demokratike ka kërkuar përjashtimin për 60 ditë të deputetit socialist Taulant Balla.
Opozita e akuzon atë për përdorimin e gjuhës së papranueshme ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi gjatë së njëjtës seancë parlamentare./ Zoom.al