zoom

In Zoom

Provokon kryeministri proserb i Malit të Zi: Gati ta tërheq pavarësinë e Kosovës

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, ka bërë një deklaratë provokuese për Kosovën, duke thënë se, sikur ai të kishte qenë në krye të qeverisë malazeze në vitin 2008, shteti i tij kurrë nuk do ta kishte njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një intervistë për gazetën serbe “Blic” ai deklaroi se çështja e Kosovës, për një pjesë të banorëve të këtij shteti, është çështje emotive dhe se ata mendojnë se ajo është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë.

“Kjo pjesë e njerëzve tanë do të mendojnë ashtu, pa marrë parasysh çfarë do të jetë në fund marrëveshja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Nëse do të kisha qenë unë kryeministri i Malit të Zi, në kohën kur Mali i Zi ende nuk e kishte njohur Kosovën, kurrë nuk do të isha pajtuar që ajo të ndodhte. Por gjithçka ka përfunduar para se të vij unë në qeveri edhe para kësaj qeverie ”.

Nuk e ka lënë me kaq. Ai ka provokuar edhe duke lënë të kuptohet se është gati ta tërheqë njohjen e Kosovës, por duke sqaruar se nëse qeveria do ta merrte një vendim të tillë, ajo do të rrëzohej në seancën e parë parlamentare.

“DPS do të bënte gjithçka për të formuar qeverinë dhe për të marrë të njëjtin vendim për Kosovën përsëri. Gjithçka tjetër është një imagjinatë e bazuar në dëshira”.

Deklarata e tij pritet të shkaktojë reagime në Mal të Zi, ku qeveria e Krivokapiç mbahet në këmbë vetëm nga votat e shqiptarit Dritan Abazoviç. Po ashtu, reagime priten edhe në rajon, pasi një qëndrim i tillë ka gjasë të ftohë marrëdhëniet e vendit fqinj me Shqipërinë, Kosovën e vendet e tjera që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. ©Zoom.al