zoom

Lajme

Protestat në vend, Vuçiç paralajmëron dorëheqje: Zgjedhjet do zhvillohen brenda 3-4 muajve

Protestat në vend, Vuçiç paralajmëron dorëheqje: Zgjedhjet do zhvillohen brenda 3-4 muajve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë të ditur se vendi do t’i drejtohet zgjedhjeve brenda tre deri në katër muajve të ardhshëm, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale do të zhvillohen në të njëjtën ditë apo veçmas.

Gjatë një interviste për televizionin TV Prva, Vuçiç tha se vendimi për datën dhe mënyrën e organizimit të zgjedhjeve i takon institucioneve kompetente.

“Mund të them vetëm se së shpejti do të shkojmë në zgjedhje, brenda tre ose katër muajve të ardhshëm, dhe kaq”, deklaroi ai.

Presidenti serb foli edhe për reformat që synon të ndërmarrë në sistemin arsimor, duke theksuar se para largimit nga detyra do të përpiqet të sigurojë një shumicë parlamentare që do të mbështesë ndryshimet, veçanërisht në arsimin e lartë.

Sipas Vuçiçit, ai do të ftojë të gjitha partitë politike për të krijuar një shumicë në Kuvendin e Serbisë që do të mundësojë miratimin e reformave të planifikuara.

“Do të bëj gjithçka për të siguruar shumicën në Kuvend. Nuk ka rëndësi se nga cilat parti do të vijë ajo mbështetje. Dua të krijoj kushtet për një sistem më konkurrues dhe t’u jap mundësi të gjithë të rinjve, përfshirë ata me më pak mundësi ekonomike, të studiojnë në universitete më cilësore”, u shpreh presidenti serb.

Deklaratat e Vuçiçit vijnë në një kohë kur Serbia po përballet me tensione politike dhe protesta të vazhdueshme, ndërsa vendi po përgatitet për një tjetër proces zgjedhor që pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në skenën politike.