zoom

Ekonomi

Presion i BE, qeveria Rama heq dorë nga Amnistia Fiskale. Del nga lista gri e pastrimit të parave

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj, ka njoftuar se qeveria shqiptare po pret konfirmimin nga Komisioni Europian, për daljen nga lista gri e pastrimit të parave.

Në një intervistë televizive, Ibrahimaj tha se deri në fund të muajit tetor pritet që Moneyval/FATF, strukturat brenda KE-së, ta heqin Shqipërinë nga kjo listë.

“Në muajin gusht një grup kontrolli nga FATF, struktura që merret me vlerësimin e rekomandimeve erdhi në Shqipëri dhe evidentoi se vendi ynë i kishte plotësuar të gjitha rekomandimet e lëna. Ekspertët e kësaj strukture nuk lanë rekomandime të tjera, ndaj dhe ne jemi shpresëplotë se në fund të këtij muaji do të ketë një vendim pozitiv për ta hequr Shqipërinë nga kjo listë”,- u shpreh Ibrahimaj.

Duket se Shqipëria ka bërë në pak muaj progresin që nuk mundi të bënte në disa vite, ndonëse rekomandimet e papërmbushura ishin të shumta edhe në raportin e qershorit 2023. Përmirësimi i Shqipërisë në luftën kundër pastrimit të parave lidhet me vendimin e qeverisë për të hequr dorë nga Aministia Fiskale, ndonëse lajmi nuk është ende i konfirmuar zyrtarisht.

Kjo ide i rezervoi Shqipërisë shumë kritika nga autoritetet europiane, duke u cilësuar si një lëvizje që do t’i hapte rrugë pastrimit të parave dhe futjes së parasë ilegale. Specifikisht Amnistia, ishte zhvillimi më shqetësues dhe për Moneyval.

I njëjti ‘presion’ nga BE e bëri qeverinë Rama të tërhiqej nga ideja e Pasaportave të Arta, pasi BE e cilësonte atë abuziv.