Aplikacion
Vijon në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion dëshmia e Henrik Hoxhajt në kuadër të procesit gjyqësor për dosjen e bujshme “Plumbi i Artë”. Hoxhaj ka zbardhur detaje mbi atentatin e planifikuar ndaj biznesmenit Lulzim Masha, duke deklaruar se porosia fillestare nga Nuredin Dumani ishte për djalin e tij, por për shkak se ai ndodhej në Maqedoni dhe nuk u gjet, plani u zhvendos te i ati.
Sipas Hoxhajt, fillimisht u diskutua pagesa prej 150 mijë eurosh, më pas 100 mijë euro për ekzekutimin e Lulzim Mashës. Ai tregoi se mbikëqyrja e objektivit zgjati rreth 1 vit dhe se për atentatin u përdor një automjet “Golf 4”, për të mos rënë në sy.
Hoxhaj deklaroi se përdori një person në një lokal në Tiranë për të marrë informacion mbi lëvizjet e Mashës, ndërsa atentati u krye nga Skerdi Tasi, i cili e qëlloi dy herë, por arma u bllokua. Ai shtoi se kishte radio policie dhe dëgjonte në kohë reale komunikimet e efektivëve, të cilët po përshkruanin autorin sipas tipareve të bashkëpunëtorit të tij.