Aplikacion
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për të pandehurin Xhelal Rraja, duke e zëvendësuar “arrestin në burg” me “arrest në shtëpi”.
Vendimi u dha sot nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca, pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Rraja më 17 dhjetor 2025.
Rraja akuzohet për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje.
Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, u arrestua në korrik të 2024 në kuadër të operacionit “Revanshi”, pasi ishte shpallur në kërkim për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje.
Xhelal Rraja, sipas SPAK, ishte pjesë e grupit të Durim Bamit e Endrit Dokles, që tentuan vrasjen e ish-ligjvënësit tjetër socialist Arben Ndoka.
Shkak ishin konfliktet e vazhdueshme mes bandave rivale, hakmarrja dhe larja e hesapeve. ish-deputeti Ndoka kërkonte hakmarrjen për vëllanë e vrarë më 2017 në Lezhë dhe dyshonte te Durim Bami. / Zoom.al