Aplikacion
Një pitbull u neutralizua nga një qytetar i rastësishëm teksa kafshoi në kokë një vajzë 4-vjeçare. E vogla, e cila kishte dalë shëtitje buzë detit me gjyshërit, shpëtoi vetëm falë një punëtori të rrugës pranë Lungomares, i cili arriti ta ndalojë sulmin e qenit dhe ta lidhë atë.
Një ditë pas ngjarjes që fatmirësisht nuk përfundoi në tragjedi, policia arriti të zbulojë pronarin e kafshës, i cili po hetohet në gjendje të lirë. Një i moshuar 87-vjeçar tha se qeni ishte i tiji. Ai e mbante në shtëpi të lidhur, por pitbulli kishte arritur të këpuste zinxhirin dhe të largohej.
Qen të tillë, pa asnjë maskë mbrojtëse, ka me dhjetëra në rrugët e qytetit të Vlorës. Pronarët e tyre i shëtisin pa zbatuar rregullat e sigurisë.
Qytetarët thonë se ndihen të rrezikuar. Në qytetin e Vlorës shëtisin të lirë me dhjetëra qen endacakë, shumica pa vaksinuar e të tjerë të pa matrikulluar.
Sipas shifrave nga bluzat e bardha të qytetit bregdetar, çdo javë 3 deri në 5 persona paraqiten në poliklinikën kryesore për mjekim nga kafshimet e kafshëve endacakë.