zoom

Blog

Përse Rama i jep shifrat e afganëve vetëm në mediat e huaja

Nga Erlis Çela:

Kryeministri sot dha sërish shifra të ndryshme për afganët që priten të vinë në Shqipëri. Sërish foli për media dhe publik të huaj. Nuk ka folur për asnjë media shqiptare. Ka dy gjëra që duhen kuptuar nga e gjithë fushata e PR-it të kryeministrit në mediat e huaja. E para ai e di që opinioni publik vendas nuk ka asnjë vlerë. Politikanët shqiptarë e kanë kuptuar se fati i tyre politik, ngritja apo ulja në shkallët e pushtetit nuk lidhet me atë se çfarë mendojnë shqiptarët për ta. Këtë më shumë nga të gjithë e di Rama. Ai e ka të qartë se pushteti i tij nuk varet nga ajo se çka mendojnë qyetarët e këtij vendi. E kuptoi këtë më mirë në zgjedhjet e fundit, por jo vetëm. E kuptoi edhe gjatë zgjedhjeve të 2017, tërmetit apo pandemisë. Ndaj 500, 5 mijë apo 50 mijë afganë, ska asnjë rëndësi. Ai mund të thotë atë shifër që do dhe askush nuk ka për të reaguar, protestuar apo ngritur pyetje. Kush guxon?! Ndryshe makineria e propagandës qeverisëse do ta vendosi menjëherë damkën e “anti amerikanit”. E dyta ai di shumë mirë që media në këtë vend ka degraduar aq shumë saqë nuk ndikon më në opnionin publik. Ai e di që pjesa më e madhe e medias në vend është e shitur, e kapur apo e shantazhuar. Ato pak media dhe gazetarë që kanë guximin të ngrenë pyetje, sulmuohen në mënyrë sistematike dhe të egër nga kryeministri, ministrat, apo oligarkët afër qeverisë. Ata etiketohen si kazan, fake news, apo akuzohen se i duan të keqen vendit. Denigrimi i tyre deri në izolimin dhe margjjnalizimin e zërave kritikë ka qenë strategji e kësaj mazhorance që nga protesta e famshme kundër armëve kimike siriane. Ndaj kryeministri i injoron mediat vendase. Atij i intereson që publiku ndërkombëtar të ketë përshtypje të mira për të. Kjo do ta ndihmojë atë ti mbyllë gojën çdo njeriu që e kritikon apo mendon ndryshe nga ai. Shfrytëzimi i krizave të tilla bëhet vetëm për të “blerë” mbështetjen e ndërkombëtarëve në mënyrë që të mbulojë zullumet e brendshme.