zoom

In Zoom

Përse po e vonon Gjykata Kushtetuese vendimin për Portin e Durrësit?

Gjykata Kushtetuese po e vonon shqyrtimin e ankimit të Partisë Demokratike për Portin e Durrësit, “Durrës Yacht & Marina”. Përmes ankimit të dorëzuar më 11 nëntor të vitit të kaluar PD kërkon shfuqizimin e bazës juridike të projektit për portin, si ligji për ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, që u miratua më 3 dhjetor 2020 dhe që përbën edhe zanafillën e projektit.

Opozita thotë se marrëveshja është në shkelje të ligjit, pasi ajo përjashton garën. Në nenin 6 të saj ajo përcakton përjashtimin e projektit nga prokurimi publik dhe procedura e konkurrencës publike.

Por vonesat në shqyrtimin e çështjes nga Gjykata Kushtetuese mund të sjellin pasoja financiare të konsiderueshme për qytetarët që po joshen nga reklamat e kompanisë që ka nisur shitjet.

Pavarësisht se çështja është në gjykatë, kompania offshore “North East Real Estate Holdings Limited”, pas të cilës qëndron biznesmeni arab Mohamed Alabbar, ka nisur të shesë apartamente.

Shitjet filluan zyrtarisht me miratimin e kontratës në parlament me procedurë të përshpejtuar, ndonëse në port nuk ka nisur ende as hapja e themeleve.

RREZIKU I SHITJES SË APARTAMENTEVE
Hyrja e kompanisë offshore në transaksione financiare me qytetarët konsiderohet e rrezikshme nga ekspertët, një çështje sensitive kjo që Zoom.al e ka trajtuar në vazhdimësi, në përpjekje për të hedhur dritë mbi pjesët e dyshimta të projektit.

Sipas ekspertëve, nëse Gjykata Kushetuese do të vendosë që marrëveshja është në shkelje, kompania e offshore e Alabbar do të duhet t’u kthejë paratë qytetarëve. Por a do të jetë e mundur kjo? Ekspertët flasin për një skemë piramidale. 

“Shitja e apartamenteve, më kujtohen kohën e firmave piramidale. Më ngjan si një përpjekje për të bindur opinionin për dobinë që ka. Ideatorët dhe përfituesit e kësaj afere janë në garë për shkak se mund të ketë edhe zhvillime të tjera që mund ta pengojnë të ecin më tej. Duke përfshirë ndikimin e Gjykatës Kushtetuese apo elementë që lidhen me sigurinë financiare”, thotë eksperti Zef Preçi.

Kontratat me qytetarët janë individuale dhe deri tani është e paqartë se çfarë parashikojnë ato në rastet se kompania do ta ketë të pamundur t’i ndërtojë pallatet, siç mund të jetë shpallja e marrëveshjes antikushtetuese.

Një vendim i tillë nga Gjykata Kushtetuese do të çonte në ndalimin e menjëhershëm të projektit dhe për pasojë prishjen e kontratave me ata qytetarë që kanë nxituar të investojnë në një projekt që nuk ka nisur, pasi është ende në dyert e gjykatave.

Pritja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese duket se është edhe një ndër shkaqet që punimet nuk kanë nisur në port.

DYSHIMET PËR “DURRËS YACHT & MARINA”
Kompania “North East Real Estate Holdings Limited” u fut në lojë në ndërtimin e portit pasi bleu 100% të aksioneve të kompanisë tjetër offshore “Symphony Real Esate Development”. Projekti kushton 2.1 miliardë euro, por kompania nuk ka bilance të mëparshme dhe as aktivitet ekonomik. Kapitali i kompanisë në kontratën e shitjes është vetëm 90 euro (10,000 lekë).

Përveç mungesës së konkurrencës, në marrëveshjen e miratuar nga qeveria dhe parlamenti, ajo përjashtohet edhe nga taksa e infrastrukturës dhe taksa sociale, duke u bërë e vetmja kompani në vend të cilës i hiqen këto taksa me ligj të posaçëm.

Ekspertët përllogarisin se vetëm nga këto taksa shteti i ka falur kompanisë offshore mbi 150 milionë euro taksa. Edhe pse kjo është një shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës, opozita e ka neglizhuar këtë fakt.

DRITËHIJET E MARRËVESHJES

– Qeveria do të përfitojë vetëm 2% nga fitimet e Portit të Jahteve.
– Ajo i dha 812,600 metër katrorë tokë falas, që në treg përllogaritet me një vlerë prej të paktën 400 milionë eurosh “sipas parashikimit të VKM nr.861, datë 29.12.2021, i ndryshuar”.
– Kompania nuk ka lënë garanci financiare
– Nuk ka kushte për të ndërtuar më parë portin, çka rrit pasigurinë se kompania mund të largohet me shitjen e apartamenteve, pa e mbyllur projektin e Marinës.
– Opozita thotë se kontrata lë hapur mundësinë e pastrimit të parave.
– Me përjashtimin nga taksat, shteti i siguron kompanisë kushtet kontraktuale të një parajse fiskale.

PESË SKEMAT E DYSHIMTA TË FINANCIMIT

Fasada se Porti i Durrësit do të jetë një mrekulli e turizmit duket se fsheh shumë anë të errëeta që mbeten për t’u zbuluar, në atë që nga ekspertët konsiderohet si një model i çuditshëm biznesi.

Investimi total në fazën e parë vlerësohet të jetë 595,256,904 euro dhe për fazën e dytë, 1,486,090,150 euro, siç rezulton në relacionin e marrëveshjes.

Sipas këtij relacioni, kompania duhet t’i vërtetojë qeverisë shqiptare, që ka të gatshme 180 milionë euro për të investuar në fazën e parë të projektit.

Pesë janë skemat e dyshimta të financimit.

1. FINANCIMI I KAPITALIT NGA KOMPANIA “OFFSHORE”. – Kompania do të investojë në fazën e parë të zhvillimit vetëm 9 % të investimit total.
2. FINANCIMI I BORXHIT NË EMËR TË KOMPANISË “OFFSHORE” – Investitorit i lejohet të financojë borxhin në mënyrë të kontribuuar nga, ose në emër të “Eagle Hills Real Estate Development”. Ekspertët thonë se ka paqartësi si do të kontrollohen paratë që do të futen në këtë projekt.
3. TË ARDHURAVE E SHITJEVE TË GRUMBULLUARA PREJ KLIENTËVE NGA INVESTITORI STRATEGJIK – Forma e tretë e financimit është edhe më dyshuese. Kompania kërkon të kryejë pjesën e mbetur të financimit, duke kërkuar likuidet nëpërmjet shitjes paraprake të objekteve në ndërtim, që tregon se kompania pavarësisht se ka përfituar mijëra metra katror truall falas, nuk ka likuidet të vetin për të mbyllur projektin, por kërkon të përfitojë nga shitjet paraprake, duke thithur klientë të ndryshëm.
4. HUAMARRJA NGA INSTITUCIONET FINANCIARE – Kompania ka hapur shitjet si një formë ankandi, ku klientët vihen në një garë dhe ne një listë të gjatë pritje, një mënyrë kjo që kompania të materializojë përfitimin e saj maksimal. Kjo formë likuiditeti i siguron kompanisë besueshmëri te institucionet kredituese, për të marrë hua prej tyre, që rezulton të jetë edhe forma e katërt e financimit.
5. INVESTIMET NGA INVESTITORË PALË E TRETË, TË ORGANIZUARA NGA KOMPANIA “OFFSHORE” – Skema e pestë, edhe kjo e dyshimtë në vetvete, është financimi nga investitorë të tretë, që në këtë rast do të organizohen nga kompania offshore e Alabbar. Një skemë tejet e çuditshme, ku një kompani që është vetë investitore me një financim modest prej 9 përqind të vlerës totale të investimit, do të përfshijë në realizimin e projektit, cilindo investitor që ajo do të dëshirojë.

ÇFARË FSHIHET PAS KOMPANIVE “OFFSHORE”

– “Offshore” i referohet çdo aktiviteti (biznesi) që zhvillohet jashtë vendit.
– Termi mund të përdoret për të përshkruar bankat, korporatat, investimet dhe depozitat e huaja.
– Një kompani mund të lëvizë në mënyrë legjitime në det të hapur me qëllim të shmangies së taksave ose për të shijuar rregulla të relaksuara.
– Institucionet financiare “offshore” mund të përdoren gjithashtu për qëllime të paligjshme si pastrimi i parave dhe evazioni fiskal.
– Presioni i shtuar po çon në më shumë raportime të llogarive të huaja tek autoritetet tatimore ndërkombëtare. /Zoom.al