zoom

Aktualitet

Përplasja në Dajç, reagon Ulsi Manja: Gjin Gjoni të mbajë përgjegjësi

Përplasja në Dajç, reagon Ulsi Manja: Gjin Gjoni të mbajë përgjegjësi

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Dajç të Lezhës, ku u raportua se shtabi elektoral i kandidates socialiste Klotilda Ndreca u kërcënua me armë, ka reaguar drejtuesi politik i PS për qarkun, Ulsi Manja.

Në një deklaratë për media, Manja e quajti incidentin “një akt të patolerueshëm” që, sipas tij, shkon përtej çdo kufiri të konfliktit politik dhe cenon rëndë procesin zgjedhor. Ai kërkoi që kandidati i opozitës, Gjin Gjoni, të mbajë përgjegjësi politike dhe ligjore për klimën e tensionuar në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë.

“Le t’i dalë për zot trimnisë së tij e të mos fshihet pas gishtit,” deklaroi Manja, duke shtuar se ngjarja është e dokumentuar me prova filmike dhe audio, të cilat tashmë janë në duart e drejtësisë. Ai theksoi se Reforma në Drejtësi dhe SPAK-u janë ngritur pikërisht për raste të tilla dhe se askush nuk mund të jetë mbi ligjin.

Manja njoftoi gjithashtu se ka informuar zyrtarisht misionin e OSBE/ODIHR për incidentin dhe ka garantuar përkushtimin e Partisë Socialiste për një proces zgjedhor të qetë dhe të ndershëm.

Në fund të deklaratës, ai akuzoi opozitën për ndjekjen e një “skeme të njohur të tensioneve dhe viktimizimit”, duke paralajmëruar se më 11 maj PS do të dalë sërish fituese.

“Ftoj të gjithë mbështetësit e PS të mos bien pre e provokimeve. Ne do të fitojmë me qytetari, me projekt dhe me angazhim – jo me armë dhe kërcënime,” përfundoi Manja.

Postime të lidhura