Aplikacion
Pronari i kuajve të qëlluar me armë zjarri pak ditë më parë në Llogara, Ksenofon Konomi akuzoi policinë se nuk ka reaguar në momentin e duhur për ngjarjen e rëndë.
Ai tha se, pavarësisht se ka raportuar ngjarjen menjëherë, forcat e rendit nuk kanë shkuar në vendngjarje për të kryer verifikimet.
“Siç kam thënë edhe më parë, nga 22 kuajt që kisha në malin e Llogarasë, janë qëlluar me çifte. Janë gjetur plumba në trupin dhe kurrizin e tyre. Me veterinerin kemi shkuar për të parë gjendjen e tyre, por policia mungoi”, u shpreh Konomi për Euronews Albania.
Fillimisht, ai dyshoi se plagët ishin shkaktuar nga kafshë të egra, por kur gjeti plumba në trupat e kafshëve, tronditja ishte e madhe. “M’i vranë vetëm se pinin ujë te lerat. Më kanë prekur thellë, sepse me këta kuaj mbaja familjen dhe transportoja turistë. Dua që autorët të ndëshkohen”, shtoi ai i përlotur.
Nga 22 kuajt e qëlluar, 4 ngordhën, ndërsa të tjerët janë shpërndarë në zonë, disa të plagosur rëndë./ Zoom.al