zoom

In Zoom

Pemët mbi plehrat e Sharrës nuk e fshehin dot skandalin e inceneratorit mbi të cilin po fle SPAK

Kryetari i Bashkisë së Tiranës prezantoi një plan strategjik për pastrimin e qytetit për 5 vitet e ardhshme. Ai u tha punonjësve të pastrimit që kishte mbledhur t’u fliste para kamerave se duhet të ishin krenarë, pasi Tirana është kryeqyteti më i pastër i rajonit.

“E kam zemrën plot mirënjohje për ju sepse sot Tirana është qyteti më i pastër në Europën Juglindore”, u shpreh ai.

Si matës për këtë konstatim Veliaj përmendi delegacionet e huaja që ai tha se vizitojnë Tiranën.

Si një nga pikat kryesore të planit të ardhshëm 5-vjeçar të pastrimit të qytetit Veliaj tha se ishte futja nëntokë e të gjithë kontenierëve të mbetjeve në qendër. E përmendi si teknologji të ri, ndonëse ajo ka vite që aplikohet në Fier. Prej prezantimit të kontenierit të parë, gati 2 vjet të shkuara, nuk ka vënë asnjë kontenier tjetër.
Por problemi i pastrimit të Tiranës nuk është te ngjyra apo forma e kontenierëve.

Tirana është ende mes atyre qyteteve që nuk bën dot ndarjen e diferencuar të mbetjeve. Edhe kur bëhet, mbetjet grumbullohen në të njëjtin vend, koshat me letra, plastikë e mbetje të tjera mblidhen nga e njëjta makinë.

Sa më shumë të ndiqet ky proces, aq më i madh është skandali që zbulohet. Veliaj përmendi landfillin e Sharrës si histori suksesi.
“Landfilli i Sharrës është kthyer në një hapësirë të gjelbër”, tha ai.
Por në të vërtetë landfilli i Sharrës po hetohet si një prej hapësirave më të mëdha të korrupsionit në vend.

Edhe pse SPAK po vepron me ngadalësi ekstreme, ajo që ndodh në landfillin e Sharrës është jashtë çdo imagjinate.

Qytetarët e Tiranës paguajnë 29 euro për çdo ton mbetje që dërgohen në këtë landfill. Por 17 euro janë vjedhje e pastër. 29 euro duhet të paguheshin nëse në landfill do të kishte incenerator që do t’i digjte mbetjet. Në fakt kjo nuk ndodh, sepse impianti nuk ekziston. Për inkapsulimin, që Veliaj e shet si sukses, kostoja bashkë me fitimet e kompanisë së të shpallurit në kërkim ndërkombëtar, Klodian Zoto, shkojnë në 12 euro. 17 euro të tjera i paguhen kompanisë offshore të Zotos për punë që ajo nuk i kryen.

Të shpallurit në kërkim për inceneratorët që nuk djegin asnjë mbeturinë, sepse impiantet nuk janë ndërtuar, marrin nga shteti 2.4 milionë euro në muaj apo 28.8 milionë euro në vit.

Veliaj do të duhet të përgjigjej për këtë skandal. Madje SPAK do të duhet ta kishte pyetur me pa vonesë pas dëshmisë së biznesmenit Italian, Gabriele Longinoti, ish-ortak i Alberto Pressezit, pronarit të koncesionit të inceneratorit të Tiranë.

Ai i tha emisionit Piranjat se njeri nga inceneratorët e sjellë në Shqiperi është çmontuar në Konstanca të Rumanisë nga kompania italiane dhe Bashkia e Konstancës i pagoi asaj 75 mijë euro vetëm që ta hiqte, pasi inceneratori nuk vlente asnjë qindarkë.

Longinoti pretendon se Presezzi ia shiti Shqipërisë, inceneratorin për disa milionë euro dhe se në këtë transaksion është përfshirë edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa paratë u financuan nga Irani.

A janë të vërteta këto deklarata? SPAK do të duhet së paku ta kishte thirrur Veliajn për ta pyetur mbi këto akuza të rënda dhe për të treguar se s’po fle mbi dosjen miliona euroshe.

Dhe në vend që të përgjigjej për akuzat, Veliaj krenohet se me miliona euro që u mbledh qytetarëve të Tiranës me taksat për pastrimin, ka mbjellë disa pemë mbi grumbujt e plehrave në Tiranë.
Kur të vijë koha të digjen, me gjasë qytetarët e Tiranës do të duhet të paguajnë sërish. /Zoom.al