zoom

Lajme

PD refuzon Presidentin, nuk merr pjesë në konsultimet për datën e zgjedhjeve

Partia Demokratike nuk do të bëhet pjesë e konsultave që presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka thirrur për të përcaktuar datën e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025.

Një ditë më parë në presidenë ishin disa nga partitë e vogla parlamentare. Data që ata sugjeruan ishte 4 maji. Sot ishte radha e PL dhe disa partive të tjera.

Por Partia Demokratike, siç konfirmojnë burime për Zoom.al mendon se konsultat janë fasadë, pasi data e zgjedhjeve është e paracaktuar.

PL, Partia e Lirisë la të kuptohet sot se data është vendosur nga PS dhe është artikuluar nga Taulant Balla. “Pranojmë çdo datë përveç asaj që ka caktuar Taulant Balla”, tha Tedi Blushi.

Balla është shprehur se zgjedhjet mund të mbahen më 4 ose 11 maj. PD beson se Partia Socialiste kërkon që në votime të shkohet më 11 maj 2025 dhe se presidenti thjesht do ta firmosë diktimin që është bërë nga mazhoranca.

Për këtë arsye, asnjë përfaqësues i Partisë Demokratike nuk do të jetë në presidencë si pjesë e “konsultave” të kreut të shtetit. PD e ka akuzuar edhe më parë presidentin Bajram Begaj se është vegël në duart e kryeministrit Edi Rama. /Zoom.al

Postime të lidhura