Aplikacion
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të verifikuar funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, me fokus të veçantë ligjshmërinë e veprimtarisë së saj dhe nivelin e sigurisë kibernetike në vend.
Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, bëri të ditur pas mbledhjes së grupit se nisma synon të shqyrtojë në mënyrë të detajuar mënyrën e funksionimit të institucionit dhe rreziqet e mundshme që lidhen me të dhënat personale të qytetarëve.
Sipas tij, çështja e sigurisë kibernetike është e lidhur drejtpërdrejt me interesin kombëtar, duke përfshirë edhe detyrimet që Shqipëria ka si vend anëtar i NATO.
Bardhi theksoi gjithashtu se kontrolli parlamentar është një instrument i domosdoshëm për transparencën dhe funksionimin demokratik të institucioneve, ndërsa i bëri thirrje mazhorancës që të mos pengojë ngritjen e komisionit.
“Sot Grupi Parlamentar ndër të tjera vendosi që të kërkojë ngritjen e Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë në funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), si dhe për vlerësimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve, përfshirë analizimin e rreziqeve për sigurinë kombëtare dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.
Kontrolli parlamentar është i domosdoshëm për garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve dhe mbrojtjen e interesit publik. Si një e drejtë kushtetuese e opozitës, apelojmë mazhorancën të tregohet e përgjegjshme dhe të mos pengojë ushtrimin e kësaj përgjegjësie”, tha Bardhi./ Zoom.al