Aplikacion
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka dalë sot në një konferencë për shtyp duke bërë me dije se grupi opozitar ka hartuar kërkesën për shkarkimin nga detyra të presidentit Bajram Begaj, i akuzuar nga PD për një sërë shkeljesh të rënda të Kushtetuës së Shqipërisë.
Bardhi thotë se Begaj nuk qeveris i pavarur, por vepron në bazë të urdhrave që i vijë nga kryeministri i vendit, Edi Rama, referuar këtu dhe dekretimit të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës.
“PD bën me dije se ka depozituar në Kuvend kërkesën për fillimin e procedurës parlamentare të shkarkimin nga detyra të presidentit Bajram Begaj për shkelje të rëndë në mënyrë të vazhdueshme të Kushtetutës.
Kërkesa është hartuar me një material voluminoz ku analizohen së bashku me provat përkatëse të gjitha shkeljet e kryera të presidentit.
Po ashtu ne jemi të bindur se Begaj nuk mund të vazhdojë më të jetë de juro kryetar shteti dhe përfaqësues i popullit që në fakt de facto e ka humbur prej kohësh. Pas një analize shteruese, kemi arritur në konkluzionin se presidenti ka konsumuar 7 shkelje kushtetuese të rënda.
Kërkesa është hartuar me një material voluminoz ku analizohen së bashku me provat përkatëse të gjitha shkeljet e kryera të presidentit.
Dekretoi zgjedhje në Tiranë në shkelje të Kushtetutës.
Ndërhyri në mandatin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i preku pavarësinë.
Dekretoi në shkelje ligjin për Komisionet Hetimore.
Dekretoi ministren virtuale ‘Diella’.
S’ndali trupën diplomatike nga përfshirja në fushatën e vitit 2025.
Kabineti i tij ndërhyri në procesin e administrimit të zgjedhjeve.
Përfitime personale nga i biri, do i drejtohemi SPAK.
Djali i Begajt ndodhet jashtë shtetit me studime, rezulton i punësuar në një kompani sigurimesh.”
Për akuzën e fundit, Bardhi tha se PD do t’i drejtohet SPAK, me dyshimin se presidenti i vendit ka kryer një krim të rëndë duke përfituar nga fondet e shtetit.
“Shkelja e fundit; përfitime personale të tij dhe të të birit. Ai dyshohet se ka kryer dhe një krim të rëndë, për të cilin grupi i PD në ditët në vijim do t’i drejtohet SPAK-ut. Ai krijoi një gjendje permanente interesi, duke i dhënë përfitimin e prokurimeve publike, kompanisë private, ku i punësuar është djali i tij.
Djali i presidentit, vetëm 23 vjeç, ndërkohë që ndodhet jashtë vendit dhe rezulton me studime jashtë vendit. Përveç studimeve dhe një pune që bën jashtë, rezulton se është i punësuar në një kompani sigurimesh brenda territorit të vendit, me një pagë dyfish mbi rrogën mesatare. I uroj shëndet, por është vetëm 23 vjeç dhe ka pagën e barabartë me drejtorin e përgjithshëm të kompanisë. Është i katërti me renditje me pagën me të lartë në këtë kompani. Kjo kompani aplikon për tendera në institucionin që drejtohet nga babai i personit të punësuar aty. Është 100% përfituese e këtyre tenderave. Jemi para një krimi korrupsioni”, sqaroi Bardhi.