zoom

Aktualitet

PD denoncon skandalin: QSUT ndalon analizat për pacientët

PD denoncon skandalin: QSUT ndalon analizat për pacientët

Partia Demokratike ka denoncuar një skandal sistemin shëndetësor, pas publikimit të një urdhri zyrtar nga QSUT, ku thuhet se analizat laboratorike janë pezulluar për shkak se është arritur “tavani financiar” i pagesave ndaj koncesionarit privat.

Sipas PD-së, kjo tregon se jeta e pacientëve po kushtëzohet nga kontrata të dyshimta publike-private, që kufizojnë aksesin në shërbimet bazike shëndetësore.

Nga data 25 gusht deri më 1 shtator, sipas urdhrit të brendshëm të QSUT, analizat kryhen vetëm për rastet urgjente dhe shumë të rënda, ndërsa pacientët e tjerë nuk marrin shërbim.

“Ky është një precedent i rrezikshëm dhe dëshmi e degradimit të sistemit shëndetësor”, tha zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli.

Deklarata e plotë:

Sistemi shëndetësor publik ndodhen prej kohësh në një situatë alarmante.

Skandali më i fundit publikuar nga gazetari Osman Stafa vjen pikërisht nga Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ (QSUNT), ku një urdhër zyrtar konfirmon ndalimin e analizave laboratorike për pacientët, për shkak të tejkalimit të buxhetit mujor të koncesionarit privat që menaxhon këtë shërbim.

Dokumenti zyrtar, dëshmon qartë se pacientët nuk mund të marrin analiza bazike shëndetësore nëse është arritur ‘tavani financiar’ i përcaktuar në kontratën koncesionare.

Sipas emailit të brendshëm të QSUNT-së: ‘Tarifat e shërbimeve të pagueshme të koncesionarit kanë arritur 100% të tavanit buxhetor mujor. […] Prandaj që prej datës 25 gusht deri 1 shtator do të ofrohet shërbim laboratorik vetëm për rastet urgjente dhe shumë të rënda’.

Ky precedent i rrezikshëm tregon qartë se në sistemin aktual shëndetësor shqiptar, jeta e pacientëve është kushtëzuar nga kufizime financiare, të imponuara nga kontrata të dyshimta publike-private.

Dhe ky nuk është rast i izoluar, por një shembull i qartë i degradimit të sistemit shëndetësor në vend.

Prej kohësh janë raportuar mungesa të theksuara në barna, pajisje, dhe shërbime bazike, ndërkohë që fondet publike vazhdojnë të shpërdorohen në projekte luksoze dhe tendera të dyshimtë.

PD kërkon me urgjencë:

-Të ndërpriten menjëherë praktikat që kufizojnë aksesin e qytetarëve në shërbime shëndetësore për arsye financiare.

-Të mbahet përgjegjësi institucionale dhe ligjore për këtë skandal dhe pasojat që mund të ketë për shëndetin e pacientëve.

-Të ri-orientohet buxheti publik drejt shëndetësisë dhe mbrojtjes së jetës së qytetarëve, jo drejt projekteve të panevojshme apo klienteliste.

Në një shtet normal, shëndetësia është prioritet./ Zoom.al

Postime të lidhura