zoom

Aktualitet

Pas prangosjes së Berberit, SPAK lëshon urdhër-arresti edhe për biznesmenin e ndërtimeve (EMRI)

Prokuroria e Posaçme duket se nuk është ndalur vetëm tek arrestimi i kreut të ARRSH-së. Evis Berberi. Bëhet me dije se në dosje ka edhe fletë-arresti për ekzekutim policor ndaj biznesmenit të ndërtimeve dhe urbanistikës, Valter Begaj.

Aksioni në fjalë është bërë me urdhër të SPAK dhe vendimit të gjykatës. Kujtojmë se kreu i ARRSH-së, Berberi është arrestuar mbrëmë, ndërsa akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.

Ka dyshime se Begaj ka përfituar një nga tenderat e rrugëve dhe mendohet se bëhet fjalë për rrugën e shembur Korçë-Ersekë dhe jo vetëm, pasi po verifikohen edhe prokurimet e tjera ku ka përfituar. Berberi akuzohet se i ka dhënë tenderë rruge edhe një të afërmi të tij investitor, opor që nuk konfirmohet ende nëse është Begaj.

Një ditë pas dorëheqjes, SPAK konfirmoi se arrestoi ish-kreun e ARRSH-së, Evis Berberi. Ditë më parë BKH i bëri kontroll në banesë dhe i gjeti përveë pajisjeve dhe dokumenteve, edhe një shumë të madhe parash në valutë dhe gjendje cash.

Zyrtari i lartë ishte prej dy javësh nën hetim intensiv, për dëmtimet në rrugën Korçë-Ersekë, e denoncuar edhe nga opozita, si abuzime me tenderin ndaj kompanive. Por edhe më parë, në vitin 2022, ai ka qenë në qendër të akuzave për një kompani private. Bëhet me dije se SPAK ka nisur rreth dy javë më parë hetim ndaj Berberit, edhe për çështjen e shitjes së një kompanie në vitin 2018.

Dyshohet se bëhet fjalë për një transferim fiktiv të kompanisë me qëllim që Evis Berberi të shmangte konfliktin e interesit, pak para se të emërohej si këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Berberi u emërua në krye të ARRSH në qershor të vitit 2021.

Më 17 shkurt 2024, një ditë pas shembjes së rrugës “Korçë-Ersekë”, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion do të deklaronte nisjen e hetimit dhe regjistrimin e procedimit penal ndaj kompanive “A & E ENGINEERING” me aksionere Entela Çano dhe kompanisë “A.N.K” me pronar Agim Kola dhe të tjerë.

Akuzat ishin të qarta; Shpërdorim detyre, mashtrim me projektin e rrugës, mashtrim teknik, mashtrim e falsifikim me procesin e mbikëqyrjes së punimeve, kryer në bashkëpunim. Ndërkohë, një ditë pas regjistrimit te procedimit penal dhe nisjes së hetimit ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve (ARRSH), Evis Berberi, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, zbarkuan në 3 banesat e Drejtorit të Autoritetit Rrugor, duke sekuestruar dokumente, kompjuter, 2 telefona dhe 3 USB, ku besohet se ka prova dhe për afera me rrugët e tjera.

Dhe si rrjedhojë e këtyre veprimeve hetimore intensive, zyrtari i lartë u detyrua të dorëhiqet. /ZOOM.AL/