zoom

Slider

Partizani sfidon Valmiera-n, Zekiç: Kualifikimi vendoset në Tiranë, i njohim mirë

Partizani do të përballet mbrëmjen e nesërme me Valmiera në ndeshjen e parë të turit të tretë kualifikues të Conference League.

Trajneri i të kuqve Zoran Zekiç, doli sot përpara mediave, ku ka dhënë mendimet e tij për përballjen e nesërme.

Ndeshja e parë – “Valmiera është një skuadër që meriton vlerësim maksimal. Ata janë kampionët në fuqi të Letonisë. Kanë ndryshuar disi, pasi nga skuadra aktuale ditët e fundit kanë patur edhe largime. Kjo gjë ndoshta mund të na i vështirësojë paksa gjërat, pasi ne e kemi analizuar kundërshtarin nga përballjet e fundit që ka zhvilluar. Por kam shumë besim tek skuadra. Pas gati 2 muaj bashkë tashmë kuptohemi më mirë me njëri- tjetrin, çfarë na duhet të bëjmë për të qenë kompetitiv në Europë”.

Kualifikimi – “Nuk mendoj se do të jetë përcaktues ndeshja e nesërme, pasi do të luajmë dy të tilla. Po ta shikoni përgjatë këtyre tureve, rezultatet kanë ndryshuar nga ndeshja e parë tek e dyta. Na duhet vetëm të përqëndrohemi te 90 minutat e nesërme e më pas do të mendojmë për sfidën e kthimit”.

Studimi i Valmiera – “Sigurisht që kemi siguruar informacionet e duhura, ashtu sikurse edhe kundërshtari ka marr informacione për ne. Ne duhet të jemi shumë të disiplinuar si në çdo ndeshje, të vrapojmë shumë, të jemi kompakt për të bërë lojën tonë. Përpara ndeshjes mund të kemi shumë për të folur, por në momentin që fillon ndeshja çdo gjë është e hapur dhe mund të vendoset edhe nga disa episode”, tha Zoran Zekiçi. /zoom.al/