zoom

Aktualitet

Qytetarët hedhin lule në Bunë, përcillet 9-vjeçarja. Kërkime intensive për nënën dhe 2 fëmijët

Teksa kërkimet intensive në dhe përgjatë rrjedhës së lumit Buna në Shkodër po vijojnë me intensitet për gjetjen e tre trupave, nënës dhe dy fëmijëve, një gjest prekës ka ardhur nga qytetarët dhe autoritetet vendore.

Në ditën që njihet si dita e luleve në Shkodër, qytetarët janë bashkuar dhe kanë hedhur lule në ujërat e lumit Buna, aty ku u ndërpre në mes jeta e nënës dhe 3 fëmijëve të saj. Nënkryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza tha se sot festa në këtë qytet u kthye në dhimbje pasi disa lule të bukura i mungojnë qytetit.

Ajo ftoi gratë të denoncojnë dhunën, fëmijët që shohin nënën të dhunohet, gjyshet që dëgjojnë debate pas dyerve të mbyllura në mënyrë që këto raste të parandalohen dhe të mos jenë vetëm sensibilizim pasi tragjedia ndodh.

Kurse vogëlushja 9-vjeçare, e cila u gjet e mbytur dje në ujërat e lumit Buna, po përcillet sot për në banesën e fundit. Ceremonia mortore e vogëlushes ishte njoftuar se do kryhej në orën 14:30. Sakaq, Erdgys Azarri, i cili ndodhet pas hekurave, ka mohuar se dhunonte gruan dhe fëmijët e tij të mitur.

39-vjeçaja Alma Arrazi nuk kishte bërë ndonjëherë denoncim në polici për dhunë për bashkëshortin saj. Akuzat për dhunë ndaj gruas dhe tre fëmijëve të saj, të cilët rezultojnë të zhdukur, ndërsa një prej vajzave u gjet e pajetë në Bunë, dolën pas publikimit të ngjarjes.

Kanë qenë familjarët e viktimës, Alma Arrazit, ata që kanë deklaruar se kjo e fundit dhunohej. Ndërkohë, policia po heton disa pista, por më shumë është ajo e mbytjes për shkak të dhunës. Kujtojmë se disa grupe palombarësh po vijojnë kontrollet në ujërat e Bunës. Edhe në ujërat e Malit të Zi po kërkohet, teksa edhe Ushtria iu bashkua sot operacionit. /ZOOM.AL/