Aplikacion
Ditën e nesërme, në orën 12:00, Parlamenti pritet të zhvillojë seancën e parë plenare pas zgjedhjeve të 11 majit.
Kjo seancë shënon rikthimin e aktivitetit parlamentar në një klimë politike të tensionuar, ku opozita ka paralajmëruar qëndrime të forta.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është drejtuar me një mesazh deputetëve të opozitës, duke theksuar se në këtë seancë do të synojnë të denoncojnë procesin zgjedhor që, sipas tij, ishte i manipuluar.
“Të nderuar kolegë, nesër në orën 12:00 është seanca plenare e Kuvendit, në të cilën do të marrim pjesë dhe do të bëjmë gjithçka për të paraqitur faktet e plota për farsën elektorale të 11 majit”, thuhet në mesazhin e Bardhit drejtuar deputetëve demokratë.
Opozita ka qenë kritike ndaj mënyrës si u zhvilluan zgjedhjet e fundit, duke i cilësuar ato si të deformuara nga krimi dhe blerja e votës. Seanca e nesërme pritet të shoqërohet me debate të forta mes palëve politike./ Zoom.al