Aplikacion
Një tërmet me magnitudë 4.4 ka goditur në orët e para të mëngjesit zonën e Napolit në Itali, duke shkaktuar panik te banorët e qytetit dhe zonave përreth.
Lëkundjet sizmike u regjistruan rreth orës 05:51 dhe u ndjenë fuqishëm në pjesën më të madhe të Napolit, si edhe në qytetet pranë tij. Shumë qytetarë raportuan në rrjetet sociale se u zgjuan të alarmuar nga tërmeti i fortë dhe me kohëzgjatje të konsiderueshme.
Sipas mediave italiane, pas lëkundjeve, autoritetet lokale në komunat Pozzuoli, Bacoli dhe Quarto vendosën të mbyllin shkollat për arsye sigurie, ndërsa nisën kontrollet në ndërtesat publike dhe shkollore.
Ndërkohë, në qendrën operative të zjarrfikësve mbërritën disa telefonata nga banorë të shqetësuar që kërkonin informacion mbi situatën, por deri tani nuk raportohen dëme materiale apo persona të lënduar.
Kryetari i Bashkisë së Pozzuolit aktivizoi menjëherë Qendrën e Operacioneve Komunale (COC), ndërsa edhe kryebashkiaku i Bacolit, Josi Gerardo Della Ragione, njoftoi masat e marra përmes një postimi në Facebook.
“Ishte i fortë. Sapo ndjemë një dridhje të fortë në zonën tonë. Kam urdhëruar mbylljen e të gjitha shkollave publike dhe private në Bacoli. Në të njëjtën kohë, të gjitha ndërtesat shkollore po inspektohen. Jemi në terren për të verifikuar çdo dëm”, shkroi ai.