zoom

Ide & Blog

Pakujdesia e vetme e Safet Gjicit dhe çfarë pati surprizë në aferën e tij seksuale

Prej 24 orësh i gjithë opinioni publik ka vërshuar në rrjetet sociale, ekranet e medias apo ne biseda rrugësh e kafenesh duke komentuar, sa me kritika, sa me qesëndi, videon seksuale të kryetarit të shkarkuar të bashkisë së Kukësit, Safet Gjici.

Videoja e tij është padyshim një nga më të shpërndarat në Whatsapp e në aplikacione të tjera të komunikimit digjital.

“Meme-t” për aferën në Facebook, Instagram e TikTok janë nga më pikantet.

Arsyeja? Ajo nuk ka të bëjë me individin Safet Gjici, por me personazhin që ai përfaqëson.

Safet Gjici është një zyrtar i lartë i akuzuar disa herë për përfitime të dyshimta nëpërmjet tenderash publikë, i vendosur në krye të bashkisë së Kukësit jo për aftësi të veçanta menaxhuese, por “për menaxhim të duhur të fondeve qeveritare”, jo si kali i punës që u tregonte në fushatë Edi Rama kuksianëve të paktë që kanë mbetur atje, por si kali i pushtetit që nuk del kurrë nga radha pa leje.

Safet Gjici ishte pasqyra e pushtetarit të bindur, njëfarë dallkauku me nivel të cunguar intelektual, tek i cili vetë Edi Rama nuk pa asgjë tjetër veç një kafshe shtëpiake që shërben për të kryer punët që i ngarkohen.

Dhe Safet Gjici duket se punët e ngarkuara i ka bërë si duhet, aq sa Rilindja duket se e ka kompensuar po si duhet.

Dy kompani të themeluara prej tij, Eurogjici-Security dhe Kevin Construksion, që sot menaxhohen nga vëllai i tij Lavdrim Gjici, vetëm gjatë 7 viteve të fundit kanë fituar të vetme dhe në bashkëpunim tendera publikë me vlerë mbi 112 milionë euro.

Me punët kaq në terezi, dëfrimi është i natyrishëm, i merituar. Por Safet Gjici, ashtu si shumë Safetë të tjerë në pushtet, i kanë shembur kufijtë që ekzistojnë mes zyrave të shtetit dhe mejhaneve e rospihaneve, i kanë shndërruar zyrat e shtetit në zgëqe private, institucionet ne çifligje, ligjet në copa shkresash pa vlerë, policët në badigardë, prokurorët në klientë, gjyqtarët në ortakë.

Dhe sa herë një Safet i Rilindjes kapet me presh në dorë, në afera seksuale apo korruptive, publiku nuk është se ndalet të komentojë fenomenin, sepse thuajse gjithësecili prej nesh është i vetëdijshëm që të tilla skena apo të tjera që nuk i kapin kamerat ndodhin përditë në zyrat e shtetit.

Si në rastin e Safetit, të Shukriut të Dibrës, të drejtoreshës së kryeministrisë që u kap me 540 mijë euro në tubat e ajrimit etj, qytetarët komentojnë detajet, sepse që pushteti përdoret për para e favore seksuale, s’ka më asnjë dyshim.

Dhe ishte tek detajet që Safeti suprizoi. Sa për përdorimin e zyrës dhe të vartëses për harem, nuk pati habi. Ai u kritikua vetëm se ishte treguar “i pakujdesshëm”. /Zoom.al

 

Video seksuale/ Habit Arian Çani: Ishte fati i keq i Safetit, të gjithë nëpër zyra e bëjnë