Aplikacion
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për çështjen e presidentit opozita nuk mori pjesë.
Albulena Haxhiu u shpreh se kjo mungesë e opozitës prodhon pasoja direkt për vendin, duke mos i hapur rrugë votimit si minimumi i demokracisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në Kuvend se dështimi për të zgjedhur presidentin e ri mund ta çojë vendin drejt një tjetër procesi zgjedhor të parakohshëm, duke e konsideruar këtë një situatë të përsëritur krizash institucionale.
Gjatë fjalës së tij në seancën e jashtëzakonshme plenare, Kurti ka akuzuar opozitën për bllokim të punës së Kuvendit për një periudhë të gjatë kohore, duke thënë se mungesa e bashkëpunimit ka ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin normal të institucioneve.
Ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk kundërshton marrëveshjet politike në parim, por është kundër, siç u shpreh ai, “pazareve politike” mes partive. Sipas tij, çdo marrëveshje duhet të bazohet në respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe rezultatit zgjedhor.
Kurti shtoi se partia e tij mban pjesën kryesore të përgjegjësisë institucionale, por jo të gjithë barrën e vendimmarrjes për zgjedhjen e presidentit, duke nënvizuar nevojën për bashkëpunim mes forcave politike.
Ai kritikoi gjithashtu opozitën, veçanërisht LDK-në dhe PDK-në, duke thënë se ato nuk kanë paraqitur alternativa konkrete apo emra për postin e presidentit, pavarësisht ftesave për dialog nga mazhoranca.
“Dështimi në zgjedhjen e presidentit e dërgon vendin në zgjedhje të reja, duke përfshirë ato lokale të vitit të kaluar, do të ishin të pestat në radhë në 16 muaj. Mesatarisht do të kishim zgjedhje çdo stinë të vitit. Zgjedhjet e reja do të vonojnë edhe progresin në çdo sektor të jetës shtetërore. Në përputhje me interesin e qytetarëve, do të flas për këtë çështje sa më qartë, ashtu që asnjë njeri të mos keqkuptohet.
Së pari, janë bërë 75 ditë që nga krijimi i qeverisë së re pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit. Rezultati i zgjedhjeve u certifikua më 9 shkurt dhe dy ditë më pas, u konstituua Kuvendi dhe u krijua qeveria e re. Nuk kishte asnjë vonesë. Po e filloj me këtë se akuzat që Vetëvendosja dhe partnerët e saj ikin nga përgjegjësia nuk janë të vërteta. Sapo është certifikuar rezultati, është marrë përgjegjësia, e kundërta ndodhi pas zgjedhjeve të 9 shkurtit në vitin që shkoi. Lëvizja Vetëvendosje, me koalicionin qeverisës në atë kohë pësoi rënie në disa vendeve.
Kjo bllokadë u zgjerua dhe vazhdoi me bllokimin e zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit gjatë gjithë pranverës dhe verës. E paarsyeshme, sepse Vetëvendosja i ofroi Kuvendit gruan më të votuar në zgjedhje, njësoj si këtë vit, ku tani nuk është vetëm kryetare e Kuvendit, por edhe ushtruese e detyrës së presidentit. Duhet ta kujtojmë këtë episod, sepse Albulena Haxhiu u propozua si kryetare vitin që shkoi. Para një viti është propozuar si kryetare e Kuvendit. Nga ajo ditë, deri më 9 shkurt të këtij viti, kaluan 298 ditë ose 10 muaj. Pyetja është kujt i shërbyen këto 10 muaj bllokadë. Duke bllokuar Kuvendin, opozita bllokonte edhe veten. Qëllimi i bllokadës ishte për të dëmtuar subjektin fitues, por në të vërtetë dëmtoi qytetarët dhe shtetin. E njëjta gjë po ndodh edhe sot.
Shpresoj sinqerisht që ky mësim i shtrenjtë nga viti i kaluar të shërbejë si precedent i qartë për të ardhme”, tha Albin Kurti./ Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari