zoom

Kosova

Ngërçi politik në Kosovë/ Kurti: Opozita po bllokon zgjedhjen e presidentit

Ngërçi politik në Kosovë/ Kurti: Opozita po bllokon zgjedhjen e presidentit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar ashpër partitë opozitare për qëndrimin e tyre ndaj procesit të zgjedhjes së presidentit, duke i akuzuar për bllokim të qëllimshëm.

Gjatë një deklarate për mediat, Kurti u shpreh se mungesa e opozitës në seancat parlamentare tregon qartë se qëllimi i tyre nuk është zgjidhja e situatës, por pengimi i funksionimit normal të institucioneve. Ai e cilësoi këtë sjellje si jo në interes të shtetit dhe si një formë mospranimi të rezultatit zgjedhor.

Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku forca që ai drejton mori mbi 51% të votave, duhet të respektohet, ndërsa bllokimi aktual po e çon vendin drejt një ngërçi politik.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje theksoi gjithashtu se ka bërë disa propozime konkrete për arritjen e një marrëveshjeje me partitë opozitare, përfshirë Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, por këto janë refuzuar.

Ai shtoi se qeveria ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të shmangur zgjedhje të reja, të cilat sipas tij do të ishin të panevojshme dhe do të dëmtonin stabilitetin e vendit.

“Nëse sillni propozimet, sonte Kosova bëhet me president ose presidente të re. Varet kush fiton.

Së fundmi, duhet të theksojmë që pikërisht kjo është arsyeja që unë kam kërkuar që PDK dhe LDK t’i sjellin tre kandidatë, se bashkë me ne i kalojmë numrin prej 90 nënshkrimeve dhe e kemi të garantuar zgjedhjen e presidentit të ri. U refuzua një gjë e tillë dhe ja ku jemi.

I lutem kryetarit të PDK-së dhe LDK-së, edhe grupet e tyre parlamentare të vijnë në Kuvend, se aty e kanë vendin. Dikur kanë qenë shumicë ata, tani jo më.  Por nuk mund të thuash që po e mbroj shtetin duke bllokuar procese dhe duke bojkotuar seancën.

Sot është afati i fundit, nuk ishte mbrëmë. Shumica dërrmuese mendojnë se e kemi dhe sot. Ne duhej që sa më shpejt të vepronim. Por unë e di që rreth orës 21:00 i kam shkruar edhe kryetarit të PDK-së dhe të LDK-së, por nuk kam marrë përgjigje.

Mendojeni kur isha unë në opozitë të më shkruanin mua kështu kryeministrat dhe presidentët, kurrë. Unë kisha pas policinë. Ata kurrë nuk kanë pasur interes të komunikonin me mua. Tani shteti është demokratik dhe në të njëjtën kohë, nuk ka më përndjekje si dikur, keni një kryeministër që vazhdimisht kërkon takime me opozitën, dhe ata nuk pranojnë dhe nuk përgjigjen në mesazhe”, tha Kurti.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar si kandidate për presidente Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, por procesi vijon të mbetet i bllokuar për shkak të mungesës së konsensusit politik./ Zoom.al

Postime të lidhura